ROME- Shqiptari 40 vjeçar i arrestuar në Lubjanë si autori i vrasjes së një bashkëpunëtori të drejtësisë rezulton të jetë autori i dyshuar i vrasjes së 46-vjeçarit ukrainas Vadym Usatyi mbrëmjen e 27 tetorit 2024 në Saronno, provincë e Vareses në Itali.
Shqiptari, emri i të cilit ende nuk dihet u ndalua në Lubjanë më 5 janar të këtij viti pasi dyshohet se është autori i vrasjes së një një dëshmitari të drejtësisë në fillim të dhjetorit pranë Lubjanës. Krimi është kryer në bashkëpunim me dy persona të tjerë.
Ka qenë krahasimi i gjurmëve të gishtave që konfirmuan se i arrestuari në Lubjanë dhe i kërkuari për vrasjen në Saronno ishin i njëjti person.
Ndaj 40 vjeçarit me precedentë penalë dhe disa identitete të ndryshme ishte firmosur një urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga gjykatësi hetues Stefano Colombo i gjykatës së Busto Arsizio (Vareze) dhe i është komunikuar akuza e re.
Vrasja e të pastrehit ukrainas
Kërkimet për shqiptarin filluan pas vrasjes me armë zjarri të Vadym Usatyi, 46-vjeçarit të pastrehë ukrainas, që u gjet me dy plumba në trup, mbrëmjen e 27 tetorit në Saronno, në provincën e Varese. Hetuesit identifikuan 40-vjeçarin si të dyshuarin kryesor. Media thotë se 40 vjeçari është person me precedente të rënda kriminale, tepër i përgatitur, ish-ushtarak karriere dhe që përdorte disa identitete për humbje gjurmësh.
“Autoritetet italiane përdorën teknologji moderne hetimore, si analiza e celularëve dhe ekzaminimi i pamjeve të kamerave. Kjo provë luajti një rol themelor në gjurmimin e lëvizjes së të dyshuarit, i cili pas vrasjes së Usatyi ishte arratisur në Zvicër dhe më pas ishte kthyer në Itali. Harta e sinjaleve telefonike bëri të mundur gjurmimin e pozicionit të tij dhe më pas koordinimin me forcat sllovene për arrestimin e tij”, informon media italiane.
Përgjimet telefonike konfirmuan informacionet për arratisjet e tij dhe vendstrehimin e tij të mundshëm. Në hetime ka ndihmuar edhe zyra e Milanos, kurse hetimet janë të koordinuara nga prokurorja publike Francesca Parola. Tani pritet përgjigja përfundimtare e drejtësisë sllovene për fatin e ekstradimit të shqiptarit, që dyshohet për dy vrasje radhazi.
Shqiptari u kap më 5 Janar të këtij viti, dhe lajmi u konfimua edhe më 13 Janar nga media italiane, referuar autoriteteve.