Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Gjergji Cukalin, i akuzuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali, rreth 4 muaj më parë, më 30 Janar të këtij viti.
Gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Cukalin, i cili u arrestua një ditë më parë. Gjate seancës Cukali ishte i pranishëm dhe nëpërmjet avokatit mbrojtës ka mohuar akuzat e prokurorisë. Ka qënë analiza e ADN-së, gjurmat e gishtave dhe përgjimet e bisedave telefonike, të kryera nga Prokuroria e Tiranës dhe Policia, të cilat kanë zbardhur Cukalin si të dyshuarin kryesor për vrasjen e ish-efektivit të policisë.
Seanca ka nisur në orën 10:30 të mëngjesit, me gjykatës Besnik Hoxha, dhe prokuror Bajram Brecani. Kjo seance është ndërprerë për disa minuta, pasi avokati ka kërkuar të njihet me materialin e dosjes së prokurorisë.
Gjergj Cukali akuzohet për veprat penale: Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.
Cukali i cili ndryshe njihet dhe si “i forti i Myslym Shyrit”, ka qënë disa herë i arrestuar për trafik droge, pengmarrje dhe arme mbajtje pa leje. Po ashtu njihet për miqësinë me Emiljano Shullazi, Arkimed Lushaj e emrat të tjerë të botës së krimit.
Arben Bilali u qëllua me tre plumba në zonën e Selitës në kryeqytet. Bilali duket se ishte mbajtur nën mbikqyrje nga autorët të cilët qëlluan drejt tij për ta lënë të vdekur. Ai u qëllua në një rrugicë në shkollën "At Zef Pllumi" në Selitë, 900 metra larg vendit ku 9 vite më parë u ekzekutua vëllai i tij, Leonard Bilali, ish-mundës i Dinamos.