TIRANË- Gjykata e Posaçme ka liruar nga qelia Klea Gjatën, miken e Laert Haxhisë, autori i masakrës së Lushnjës. GJKKO vendosi ndaj saj masën "ndalim i daljes jashtë shtetit".
28-vjeçarja u arrestua pas dëshmisë së Artan Tafanit, i cili ka statusin e të penduarit. E reja ndodhet nën hetim për "moskallëzim krimi" dhe "përkrahje e autorit të krimit".
Pasi pendimit të Artan Tafanit, u zbardhën disa krime të kryera nga banda e Laert Haxhisë. Operacioni “Kurrë mos harro” çoi në pranga 12 persona dhe 4 në kërkim. Dosja ndodhet në SPAK, me akuzën se Haxhiu dhe bashkëpunëtorët e tij kanë kryer 18 vepra penale në formën e grupit kriminal. Pjesë e dosjes, janë tri dëshmitë e të penduarit Tafani që fundosi kreun e bandës duke zbuluar se ai ka tentuar të vrasë edhe dy prokuroret që po e hetonin.
Përveç 6 vrasjeve, 5 rasteve të shkatërrimit të pronës me eksploziv, 2 rasteve të vjedhjes me dhunë, 3 rasteve të sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, 1 rasti të kanosjes së punonjësve të Policisë dhe dy vrasjeve në Greqi, të cilat sipas tij janë kryer nga grupi i Laert Haxhiut, i penduari zbuloi edhe krime të tjera. Ai tregoi se pas masakrës së Lushnjes më 11 tetor 2017, ku vrau Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe plagosi Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku, Laert Haxhiu ka synuar të vrasë prokuroret Merita Selimi dhe Doloreza Musabelliu.
Ndërkohë, Laert Haxhiu është duke u gjykuar në mungesë për Masakrën e Lushnjës, ndërsa me burgim të përjetshëm janë dënuar më herët bashkëpunëtorët Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.. Në atë kohë u tha se shënjestra e atentatit dyshohet të ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares.