VIDEO/ U arrestua pasi u fut në uzinën e Gramshit, mbyllet seanca për rusen Timofeeva! Gjykata jep vendimin më 14 prill

4 Prill 2023, 14:49| Përditesimi: 14 Prill 2023, 13:06

  • Share

Gjykata e Elbasanit do të japë më 14 prill në orën 12:15 vendimin për rusen Svetlana Timofeeva, e cila u arrestua në vendin tonë pasi u kap në Uzinën e Gramshit. Sot u mbyll seanca ndërsa gjykata do japë vendimin pasi mbrojtja kërkon që të mos ekstradohet drejt Rusisë.

“Edhe vetë Ministria e Drejtësisë nuk do t’i kishte hapur rrugë ekstradimit. Shtetësja ruse ka hequr dorë nga të drejtat themelore të njeriut. Ajo do të persekutohet, keqtrajtohet për shkak të bindjeve të saj dhe familjes kundër Putinit pasi nëse do të jepej ekstradimi, do t’i rrezikohej jeta. Organizmat ndërkombëtarë në mbrojtje të organizmave themelore për të drejtat e njeriut janë në stadin më të ulët. Masa ‘arrest me burg’ është e drejtë por do të jetë hetimi që do të vendosë nëse është fajtore ose jo, ndërsa ekstradimi i saj për në Rusi është për arsye politike. Paraqitet kërkesë për ekstradimin sapo të arrestohet në Shqipëri”, thanë avokatët e ruses në seancën gjyqësore.

Vetë rusja ka thënë se kërkesa e Rusisë që kërkon ekstradimin e saj duhet rrëzuar dhe të pranohet kërkesa për azil politik në Shqipëri.

“Jam dakord të qëndroj në Shqipëri e të mos dërgohem në Federatën Ruse”, mësohet të ketë thënë Timofeeva.

Svetlana Timofeeva u arrestua më 20 gusht të vitit 2022 me bashkëkombësin e saj Mikhail Zorin dhe ukrainasin  Fedir Alpatov pranë ish-uzinës së armëve në Gramsh teksa kur i pikasën nga dy ushtarakë i sulmuan me spraj kimik. Në Shqipëri, të tre të huajt  akuzohen për “Goditje për shkak të detyrës”, “Dhënie e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.

Rusia kërkon ekstradimin e 33-vjeçares pasi atje është e akuzuar për “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”, por 33-vjeçarja kërkon azil politik duke thënë se ka dalë hapur kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe për këtë arsye mund t’i rrezikohet jeta.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?