Ish-shefja të kabinetit të Arben Ahmetaj, gjatë kohës kur ky i fundit ishte ministër i Financave, e arrestuar për pastrim parash, fshehje e mosdeklarim pasurie, ka kërkuar lirinë në apelin e Tiranës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se avokati mbrojtës Ilirjan Muho dorëzoi këtë të hënë ankimin në Shkallën e Dytë. Avokati ka kërkuar lirinë e Alda Klosit duke arsyetuar se ajo ka në kujdestari dy fëmijë të mitur për të rritur dhe nënën e saj të verbër, për të cilën duhet të kujdeset.
Klosi akuzohet për pastrim parash, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë dhe deklarim të rremë përballë OPGJ. Një ditë më parë, policia vuri në sekuestro një garazh dhe një apartament në rrugën "Kongresi i Lushnjës" në Tiranë, në pronësi të ish-zyrtares Alda Klosi.
Klosi ndodhet e arrestuar që prej 3 shkurtit pas dëshmisë së dytë të dhënë në polici nga pastruesja Rozeta Dobi, e cila pranoi se edhe shuma tjetër e parave mbi 400 mijë euro që u gjet në banesën e saj janë të Alda Klosit. Sanitarja tha për hetuesit se kishte bashkëpunuar me Klosin dhe se paratë ia kishte dhënë vetë ajo për t’ia ruajtur pasi kishte konflikte me ish-bashkëshortin. Por avokati i Alda Klosit thotë se është deklarim i rremë.
Akatualisht ish zyrtarja e lartë e administrates Alda Klosi është e dyshuar për veprat penale; “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen e pasurisë ”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Vetë Alda Klosi nëpërmjet avokatit të saj i ka mohuar akuzat ndërsa gjykata vendosi ta lërë në masën “arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohe mbrojtja e Klosit i është drejtuar Gjykatës së Apelit për të ndryshuar masën e sigurisë. Ish zyrtarja pasi ka qëndruar disa dite ne QSUT është transferuar për në paraburgimin 325 me kryeqytet ku do të qëndrojë deri në përfundim të hetimeve ne rast se apeli nuk vendos ti zbusë masën e sigurisë.
Havier Dobi, djali i pastrueses Rozeta Dobi që deklaroi se ka marrë mbi 500 mijë euro në shtëpinë e ish-zyrtares Alda Klosi ndodhet në Prokurorinë e Tiranës. Prej 2 orësh po merret në pyetje për shumën e parave të gjetura në banesën e tyre.