Itali- Gjykata e Apelit të Katanias ka liruar një 28-vjeçar shqiptar, i arrestuar më 5 Nëntor nga Karabinierët e Raguzës, për një grabitje të rëndë me lëndime personale, krim që dyshohet se ka kryer më 14 gusht ndaj një të riu vendas që po ecte në rrugën pranë sheshit “San Giovanni”.
I dyshuari e kishte mohuar krimin përpara gjyqtarit të Gjykatës së Raguzës, Vincenzo Ignaccolo, gjatë masës së parë të sigurisë, i cili nënshkroi edhe arrestin e tij.
Në përfundim të marrjes në pyetje, avokati Fabrizio Cavallo, mbrojtës i të dyshuarit, kishte kërkuar revokimin e masës së sigurimit. Gjyqtari pasi dëgjoi mendimin e zv.prokurorit Santo Fornasier, e refuzoi kërkesën.
Sipas prokurorisë, i riu i dënuar për krime të lidhura me trafikun e drogës, i cili atë mbrëmje ndodhej në shoqërinë e bashkatdhetarëve të tjerë, ka sulmuar 27-vjeçarin nga Raguza për arsye grabitjeje dhe pasi e ka rrahur dhunshëm, i ka vjedhur celularin, çelësat e shtëpisë dhe portofoli, shkruan "Giornale Ibleo".
Por pas ankimimit të çështjes në Gjykatën e Rishikimit të Katanias, kjo e fundit shfuqizoi masën e arrestit, duke e liruar shqiptarin.