Gjykata e Lartë ka refuzuar lirimin e ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe. Tre gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni rrëzuan rekursin e Fatos Tushes. Kujtojmë se më 28 korrik të vitit të kaluar, Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë 'arrest në burg' për ish-kreun e Bashkisë së Lushnjes.
Më herët Tushe ka kërkuar disa herë lirinë edhe nga GJKKO, me pretendimin se ka probleme shëndetësore, megjithatë kërkesat e tij të njëpasnjëshme u refuzuan.
Fatos Tushe u arrestua me 6 korrik, me 10 ish-vartësit e tij, nga një operacion i ndërmarrë nga SPAK, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Bëhej fjalë për një tender me vlerë rreth 23 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Ky tender është fituar nga kompania EuroAlb shpk, që kishte sjellë ofertën më të lartë, por më pas punimet, fitimet dhe punën e ka bërë një kompani tjetër, e biznesmenit Ibrahim Lami. Ky i fundit, nga sa specifikohet në dosje, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Bujar Muratin Në fund, Lami dhe Murati i ndanin paratë bashkë.
Tushe ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti dhe një gazetari të njohur në Tiranë, si edhe ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll. Ish-kryebashkiaku i Lushnjës u shkarkua nga detyra nga një vendim i Këshillit të Ministrave pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë.