Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia Eduart Lamin, që u arrestua si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e postierit Lulzim Visha.
Lami u vu në pranga në muajin janar të këtij viti, pas vrasjes së postierit të postës private “Postman”, ngjarje e ndodhur më 24 janar në fshatin Zall Mner në zonën mes Kamzës dhe Institutit.
Lulzim Visha u gjet i vrarë brenda makinës së tij, i ekzekutuar me të paktën 12 plumba pistolete.
Eduart Lami u arrestua si i dyshuar për përfshirje në këtë vrasje, por ndaj tij rënduan vetëm akuzat e armëmbajtjes pa leje, dënim të cilin e shlyejti me kohën e qëndrimit në paraburgim.
Hetuesit nuk arritën të gjenin prova të tjera për përfshirje në vrasjen e Vishës, e për këtë arsye gjykata urdhëroi lirimin e tij nga qelia.
Vrasja e Lulzim Vishës dhe pistat e hetimit
Policia kishte dijeni që mes familjes Visha dhe asaj Lami kishte patur konflikte fizike para pak kohe. Eduart Lami, kur u arrestua në momentet e para, mohoi që të ketë patur sherr me viktimën apo familjarë të tij.
Djali i xhaxhait të tij, Ervis Lamin, person me rekorde kriminale, i njohur si bashkëpunëtor për arratisjen e 7 të dënuarve nga burgu i Drenovës në 2013-ën, u shpall në kërkim nga policia i dyshuar edhe për atentatin që nga hetimet lidhet me konfliktin për një pronë në zonën e Kamzës, ku familjet jetojnë.
Pistë tjetër vijon të mbetet edhe hasmëria, pasi në vitin 1997, vëllai i Lulzim Vishës vrau me armë një efektiv të policisë, dënim të cilin e ka shlyer.
Makina tip Porsche e autorëve të vrasjes së Lulzim Vishës u gjet e djegur në Zall Herr, bashkë me armën e shkrumbuar.
Komente
