U arrestua sot nga operacioni i SPAK, kush është shefi i komisariatit të Kurbinit (EMRI)

9 Tetor 2023, 18:39| Përditesimi: 9 Tetor 2023, 19:03

  • Share

1696869612_034751d2cfc7c5b036f4a55856e08165.jpg

Gazetari i Report Tv, Sokol Dema bën me dije se mes të arrestuarve është vënë në pranga edhe ish shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj.

'Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, konferencë për shtyp, mbi rezultatet e hetimeve të kryera në kuadër të megaoperacionit  policor të koduar “Flakë në det”, i zhvilluar në bashkëpunim me partnerët, më datë 15.08.2023.

Përshëndetje,

Jam sot këtu për të bërë prezente rezultatet e hetimeve të thelluara të kryera në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Flakë në det”, për goditjen e një rasti të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, rezultate të cilat dëshmojnë as më shumë e as më pak, por atë që kemi demonstruar vazhdimisht, vendosmërinë tonë në luftën kundër krimit dhe veçanërisht formave të organizuara të tij.

Fillimisht, dua t’ju sjell në vëmëndje dinamikën e megaoperacionit “Flakë në det”, i cili u organizua në bazë të inteligjencës policore dhe u realizua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme, GDF-në, zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe FRONTEX-in.

Në vijim të punës për goditjen e grupeve kriminale që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, Policia e Shtetit që në fillim të këtij viti, ka shtuar masat për monitorimin në terren, duke përdorur të gjitha kapacitetet teknike dhe njerëzore që ka në dispozicion.

Në përmbushje të këtij prioriteti dhe në zbatim të motos “Kufij të pakalueshëm për krimin e organizuar”, u zhvillua dhe u finalizua dhe megaoperacioni policor “Flakë në det”.

Megaoperacioni filloi menjëherë pas njoftimit të strukturave monitoruese në terren, për lëvizjen e një mjeti lundrues të shpejtë, nga laguna e Patokut, në drejtimin jug-perëndim. Ky mjet lundrues ka kontaktuar  në det në një distancë  12 milje një tjetër mjet lundrues tip Velierë, dhe dyshohet se shtetasit në këto 2 mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike.

Në megaoperacion u përfshinë avionët e FRONTEX-it, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare dhe mjete të GDF-së, të cilat kanë bërë rrethimin e velierës.

 Shtetasit që ndodheshin në velierë, sapo kanë konstatuar se ishin të rrethuar nga Policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe me një barkë të vogël shpëtimi, kanë tentuar të largohen, por janë kapur në flagrancë.

Në të njëjtën kohë kur u nderhy nga deti, Forcat Speciale “RENEA” ndërhynë nga toka, në ambientet e një lokali në lagunën e Patokut, ku qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike. 

Në vijim, u shoqëruan në Polici dhe u arrestuan 4 shtetas shqiptar dhe 2 shtetasit ukrainas të cilët u kapen në mjetin e vogël lundrues, në afërsi të velierës, të cilës i kishin vënë zjarrin.

Në cilësinë e provës materiale,  gjatë megaoperacionit “Flakë në det” u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, një shumë e madhe parash, në valuta të ndryshme, 25 celularë dhe sende të tjera.

Gjithashtu, u sekuestruan një sasi prej 23 kg lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa, e gjetur në det, në afërsi të vendit ku u fundos veliera e djegur dhe një mjet lundrues gomone, bashkë me GPS.

Në vijim të hetimeve intensive dhe të pandërprera në kuadër të operacionit “Flakë në det”, të kryera nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata krimianle  dhe grupi i strukturuar kriminal”, për shtetasit:

Gëzim Çelaj, banues në Fushë Kuqe;

Arben Dalipaj, banues në Vlorë; 

Roland Guza, banues në Durrës; 

Dritan Metaj, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Laç.

Ditën e sotme, Policia e Shtetit ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shefin e Komisariatit të Policisë Laç, Dritan Metaj, ndërsa 3 shtetasit e tjerë janë shpallur në kërkim. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, po punon intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tyre, pasi nga informacionet dhe verifikimet e deritanishme rezulton se këta 3 shtetas janë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. 

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po vazhdon operacioni në terren për sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasve Gëzim Çelaj, Nderim Çelaj, Arlind Ismailukaj dhe personat e tjerë të lidhur me ta, duke përfshirë shoqërinë tregëtare, automjete, mjete lundruese dhe asete të tjera.

Megaoperacioni ”Flakë në det”, hetimet e kryera dhe veprimet e sotme, konfirmojnë vendosmërinë e Policisë, për të luftuar në bashkëpunim me partnerët krimine  organizuar, por edhe përforcojnë këmbënguljen tonë për t’u vetëpastruar nga çdo individ, i cili uniformën e Policisë e përdor në shkelje të betimit të tij, duke mos i shërbyer shërbyer ligjit, shoqërisë, mbrojtjes së jetës dhe të drejtave të qytetarëve.

Duke përfituar nga rasti, i bëj thirrje çdo qytetari, që të mos hezitojë të informojë për çdo veprim të punonjësve të Policisë në shkelje të detyrës, pasi vetëpastrimi në radhët e Policisë së Shtetit, nuk është për ne një fushatë, por një prioritet dhe një proces i pandërprerë për të ndërtuar një Polici me integritet të lartë moral e profesional, për t’iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor.

Siguroj qytetarët se Policia e Shtetit, është maskimalisht e vendosur për të luftuar me forcën e ligjit çdo fenomen kriminal që cenon rendin dhe sigurinë publike, si dhe jetën dhe pronën e qytetarëve. 

Gjithashtu, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme, dhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm  si dhe me  agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, vijojnë operacionet për goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.'- njofton policia.


Lajmi kryesor:

Pranga shefit të komisaratit në Kurbin, pjesë e grupit të trafikantëve të drogës! Në kërkim ‘baroni’ Gëzim Çelaj e 2 të tjerë! Në gusht dogjën velierën me kanabis


G.MO//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?