TIRANË - Detaje të reja vijnë nga arrestimi i 22-vjeçarit Kristi Çinari mbrëmjen e djeshme në kryeqytet i cili grabiti institucionin financiar Kredo.al
Policia njofton se ai është arrestuar teksa ka tentuar të kryejë një tjetër grabitje në zyrat e ujësjellësit.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, iu gjetën një pistoletë çakmak me të cilën dyshohet se ka kryer grabitjet në Tiranë si dhe një kartë identiteti kosovar e cila dyshohet se është falsifikuar.
Grabitja e Kredo.al në Tiranë ndodhi më 23 janar në kryqëzimin e Porcelanit në rrugën ‘Bardhyl’ në Tiranë. Në institucionin financiar privat, është marrë një sasi parash, mbi 1 mln lekë (të vjetra) duke kërcënuar punonjësit me armë.
Pas grabitjes së Kredo.al ai ka grabitur dhe një farmaci. Grabitja në farmaci ndodhi rreth orës 21:00 pas shkollës "Sami Frashëri" në Tiranë më 26 janar. Siç shihet nga pamjet e siguruara nga Report Tv, autori largohet i qetë pasi ka mundur të marrë lekët mbi banak të këtij biznesi.
Policia më herët ka njoftuar se 22-vjeçari është autor i vjedhjes dhe të një farmacie në Tiranë në vitin 2017. Në vitin 2017 ai ka grabitur me armë një farmaci në ‘Rrugën e Kavajës’.
I riu që ka bërë namin në vjedhje reklamon jetën e tij në në Facebook, ku poston foto të parave, armëve e makinave luksoze. Këto të fundit nuk janë në pronësi të tij.