Jasmira Memelli (majtas) dhe Silva Caka (djathtas)

Politikë

U bë zv/ministre e Brendshme, zyrtarja e PL demaskon Silva Cakën dhe i nxjerr videon: Na tha që do ndiqte Shkollën e Magjistraturës

25 Shtator, 18:27| Përditesimi: 25 Shtator, 18:35

  • Share

Silva Caka u emërua sot zv/ministre e Brendshme, duke braktisur kështu Partinë e Lirisë apo ish-LSI-në, ku bënte pjesë prej vitesh.

Por nuk ka munguar përgjigja as nga Partia e Lirisë, pas postit që mori Silva Caka në qeverinë e Edi Ramës.

Jasmira Memelli, zëdhënësja e Partisë së Lirisë, ka publikuar një video të vjetër të Silva Cakës, kur akuzonte dikur ish-kolegët e saj të partisë të cilët kishin kaluar në anën tjetër të llogores politike, për të cilët shprehej se “kanë gjetur veten te Edi Rama me aferat korruptive”.

“Ç’të them. Të gjithë emrat që sot janë larguar, dikur nga ai që sot i ka rekrutuar, janë akuzuar. Kështu që mbase ka marrë të përshtatshmit e vetë, kanë gjetur veten aty me Edi Ramën, me të gjitha ato aferat e tij korruptive. Unë mendoj që thjesht, andej nga anët e mia i thonë që ka gjetur tenxherja kapakun”, shprehej dikur Silva Caka.

Zëdhënësja e PL, Jasmira Memelli, në postimin e saj në Facebook, shkruan se Silva Caka ka mbi 1 vit që ka dhënë dorëheqjen nga Partia e Lirisë, me justifikimin se do të ndiqte studimet në Shkollën e Magjistraturës.

“Ka mbi një vit që S.C ka dhënë dorëheqjen për të ndjekur gjoja Shkollën e Magjistraturës, që në fakt rezultoi aplikim për në "Shkollën" e Korrupsionit, Krimit dhe Vesit”, shkruan në Facebook Jasmira Memelli.

Postimi i plotë në Facebook i zëdhënëses së Partisë së Lirisë:

Kur dikush zgjedh të braktisë vlerat e Lirisë dhe Demokracisë për një karrige të pa vlerë në Qeverinë e krimit dhe të korrupsionit, nuk largohet nga Partia e Lirisë, por nga morali, integriteti dhe parimet.

Nuk ndalojmë askënd të lëpijë atë që ka pështyrë, apo të pështyjë fytyrën e vet.

As të nëpërkëmbë edhe gjakun e familjes të derdhur për vlerat e shenjta të Lirisë.

Këto janë zgjedhje personale, që flasin më shumë se çdo fjalë.

Ka mbi një vit që S.C ka dhënë dorëheqjen për të ndjekur gjoja Shkollën e Magjistraturës, që në fakt rezultoi aplikim për në "Shkollën" e Korrupsionit, Krimit dhe Vesit.

Partia e Lirisë është më e vendosur se kurrë në mbrojtjen dhe jetësimin e kauzave të saj madhore ekzistenciale kombëtare, për të vazhduar pa kompromis luftën parimore dhe patriotike, krah për krah me opozitarët e vërtetë dhe me të gjithë shqiptarët e ndershëm, për t'i shkurtuar ditët regjimit kriminal të Edi Ramës që ka shpopulluar vendin dhe po rrjep pa mëshirë popullin me korrupsionin skizofrenik.

 

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?