Kronikë

Durrës/ 'Do të djeg makinën e Policisë', arrestohet 24-vjeçari që bënte thirrje qytetarëve në TikTok për akte dhune (EMRI+VIDEO)

1 Maj, 12:19| Përditesimi: 1 Maj, 12:31

  • Share

Një 24-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit pasi nëpërmjet TikTok bënte thirrje për akte të dhunshme, përfshirë nxitjen për djegien e një automjeti të Policisë së Shtetit.

I riu i identifikuar si Devis Faruku i ndalua për veprat penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga një video e publikuar përmes një profili të rremë, i riu i maskuar dëgjohet të thotë se sot (1 maji) do të digjte makinën e Policisë 'Live', madje theksonte ta ndiqnin momentin e djegies.

Njoftimi i policisë:

Në bashkëpunim me Njësinë Rajonale Antiterrorizëm Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës (Stacioni i Policisë Manzë), u kap dhe u shoqërua shtetasi D. F., 24 vjeç, banues në lagjen Perimore, Sukth, Durrës, i cili në përfundim të veprimeve u ndalua për veprat penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Në një prej videove, ky shtetas u bënte thirrje qytetarëve që të shikonin dhe të ndiqnin momentin e djegies së një makine të Policisë së Shtetit, duke promovuar publikisht një akt të rëndë dhune dhe duke tentuar të nxisë reagime të rrezikshme në publik.

Ndërkohë, Drejtoria e Antiterrorit po ndjek çështjen në vijimësi, duke ndjekur procedurat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë dhe duke vlerësuar ndikimin dhe rrezikshmërinë e mesazheve të shpërndara në rrjet.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në parandalimin e përhapjes së përmbajtjeve të dhunshme dhe në mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast të ngjashëm, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe ndjekje ligjore ndaj çdo akti që cenon sigurinë dhe rendin publik.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?