Kombëtarja kuqezi fitoi 2-0 me Moldavinë, teksa Shqipëria e Sylvinhos tregoi nivel të lartë në fushë. Për kualifikueset e Euro 2024 në "Air Albania", lojë të mirë zhvilloi edhe Mario Mitaj. Mbrojtësi i majtë luajti për 90 minuta, duke qenë një "piston" në krahun e majtë. I pozicionuar në mbrojtje, djaloshi luan në gjithë fashën e majtë dhe është një ndihmë për kuqezinjtë.
Nëse para ndeshjes Mitaj nuk mundi të flasë për mediet për shkak të emocioneve, 19-vjeçari foli në fushë me një paraqitje të mirë që u vlerësua me notën 7.2. I dalë nga moshat e AEK-ut të Athinës, Mitaj luajti për ekipin e parë të grekëve, me këta të fundit që e shitën për 3 milionë euro te Lokomotiva e Moskës, me shqiptarin që ka kontratë deri në verën e 2027-ës.
Dëmtimi i Balliut dhe kalimi i Hysaj në të djathtë, i dha mundësinë Sylvinhos që të besonte te Mitaj, me këtë të fundit që nuk zhgënjeu dhe shihet si pjesë fikse e formacionit edhe në ndeshjen e së martës kundër Ishujve Faroe në transfertë. Mitaj ka luajtur tre ndeshje me Kombëtaren.