Sot mbushen tetë vjet nga dita kur u nda nga jeta shkrimtari i madh shqiptar Dritëro Agolli. Ai pati gjithashtu një periudhë të konsiderueshme aktivizimi në politikë, duke qenë një ndër deputetët më të spikatur të Partisë Socialiste në katër mandatet e para të historisë së pluralizmit, pas rënies së diktaturës në dhjetor 1990.
Bashkëpunëtorët e tij e mbajnë mend për stilin unik të fjalimeve të tij, për origjinalitetin dhe batutat pikante që shpesh shkaktonin të qeshura në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Dritëro Agolli mbahet mend për qëndrimet e tij në momente të rëndësishme të debatit parlamentar. Një ndër to ishte debati për heqjen e imunitetit të deputetit demokrat Azem Hajdari, lider i lëvizjes së dhjetorit 1990.
E veçanta e qëndrimit të Agollit ishte se Azem Hajdari po ndëshkohej nga partia e tij, ashtu siç kishte ndodhur jo shumë vite më herët me “armiqtë e brendshëm të PPSH-së.” Ndër shumë deputetë demokratë që ishin shpallur ndërkohë “armiq të partisë,” si Arben Imami, Gramoz Pashko, Teodor Keko e të tjerë, do të ishte edhe Agolli mbrojtës i Azem Hajdarit në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. TemA sjell fjalimin e tij në ditën kur po i hiqej imuniteti Azem Hajdarit.
Dritëro Agolli – Është një demokraci e plotë kjo. Pra, ngritja e temperaturës së atmosferës politike në këto raste të pengon të gjykosh me gjakftohtësi, të pengon të mbrosh dikë dhe t’i japësh të drejtë atij apo këtij, pasi çdo gjë mbushet me emocione politike, që zëvendësojnë logjikën dhe arsyetimin. Prandaj unë kam frikë se duke folur për çështjen e heqjes së imunitetit të një deputeti të një partie që nuk i përkas, ithtarët e saj do të më vërsulen plot zhurmë dhe do të më thonë: “Ç’ke zotrote që flet?”, siç ka ndodhur jo rrallë, siç u dëgjua sonte këtu edhe zëri i nja dy balashëve. Këta balashë mendojnë thjesht “kjo parti është imja, ç’të ha meraku ty?” Zotëri, kjo parti nuk është jotja, ajo është pasuri kombëtare. Por unë do të flas si qytetar, pasi çatia dhe trualli i këtij parlamenti, bashkë me ajrin dhe dritën është për të gjithë ne i përbashkët.
Heqja e imunitetit të një deputeti është heqja e një cope nderi të vetë Parlamentit, është cenimi i moralit dhe autoritetit të tij. Hedhja e hapit për heqje imuniteti nuk është hedhje e hapit në një valle. Vihet re se këta hapa për ndëshkime, për shkarkime, për heqje imuniteti dhe për kërcënime psikologjike ne i bëjmë me një zell të madh e me një padurim, me mungesën e theksuar të dëshirës për të arsyetuar një gabim a një faj dhe për ta qartësuar atmosferën e këtij gabimi apo faji deri në fund.
Kështu, po të mos kishim një zell të madh për ndëshkim, heqjen e imunitetit të zotit Azem Hajdari ne duhej ta arsyetonim me gjakftohtësi dhe ndershmëri. Të kishim bërë takime me prokurorin në Komisionin e Mandateve, siç e thanë dhe disa zotërinj këtu, të kishim biseduar me të paditurin dhe paditësin, të kishim bërë një përpjekje për një pajtim etj. Ai që paditet, deputeti, shikohet si një i huaj, jo si një pjesëtar i familjes, si njeri, si vëlla, si personalitet, hidhet si një leckë dhe nuk denjohet të flitet me të.
Ftohtësia është e akullt, është gati siberiane. Me një fjalë, në Kuvendin Popullor duhej të ndihej thellë shqetësimi dhe vuajtja morale para se të shtrohej për diskutim çështja e heqjes së imunitetit të deputetit, pasi kjo nuk është një ngjarje e thjeshtë, nuk është një vërejtje e rëndomtë që vjen nga Kryesia e Parlamentit. Me këto ndëshkime, me këto heqje imuniteti, me këto thirrje për shkarkime, me këto britma të zërave të veçantë “të nxirret jashtë ligjit akëcila apo akëcila parti”, në Parlament fryn era e cenimit të demokracisë, fryn era e terrorit psikologjik, e frikës dhe e pasigurisë. Brenda një muaji që nga fillimi i sezonit të punës pas verës Parlamenti po u heq dy deputetëve imunitetin me synim heqjen edhe të mandateve: Azem Hajdarit dhe Ilir Metës.
Edhe ky është një zell i paparë. Brenda një muaji përveç heqjes së imunitetit të deputetëve Parlamenti shkarkoi edhe prokurorin e përgjithshëm. Siç shihet, plani i ndëshkimeve është tepër i tejkaluar dhe, po u hap gryka e ndëshkimeve, është e vështirë të mbyllet. Atëherë, Parlamenti, në vend që të shkojë vetë në Evropë, do të dërgojë në portat e saj ortekun e tij zhurmues të ndëshkimeve, ortekun e ankthit dhe terrorit psikologjik. Heqja e imunitetit të një deputeti është një e shtënë kundër demokracisë, veçanërisht heqja e sotme. Unë jam kundër heqjes së imunitetit.