Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka reaguar pas dekoratës së lartë që iu akordua nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se është mirënjohëse ndaj këtij nderimi, dhe thekson se vlerësimi ndaj saj është shenjë respekti për qëndrimin që ka mbajtur Shqipëria ndaj Ukrainës në luftën me Rusinë.
Reagimi i plotë kryeparlamentares Spiropali:
I nderuar President Zelensky,
E përjetova me mirënjohje dhe emocion nderin e lartë të Urdhrit Shën Olga, Klasi i Parë, që është akorduar nga Shkëlqesia Juaj, Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.
Ky vlerësim në emrin tim është mbi të gjitha shenjë respekti për kontributin dhe qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë krah Ukrainës në këtë kohë të vështirë.
Populli shqiptar, Kuvendi dhe institucionet e Shqipërisë kanë qenë dhe mbeten të bashkuar e të vendosur në mbështetje të Ukrainës. Ky qëndrim buron nga zemra e çdo qytetari shqiptar, nga besimi ynë tek liria, dinjiteti dhe e drejta e një kombi për të jetuar i pavarur dhe për të vendosur vetë për të ardhmen e tij.
Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një zë i qartë e i fuqishëm në mbrojtje të parimeve dhe vlerave demokratike euroatlantike. Ne do të vijojmë të qëndrojmë pranë Ukrainës, ashtu si deri tani. Do të mbështesim të gjitha përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, Presidentit të SHBA-së, udhëheqësve europianë, NATO-s dhe botës demokratike për ndalimin e luftës dhe vendosjen e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë.
Ju falënderoj për nderin e jashtëzakonshëm.
Uroj dhe besoj vendosmërisht se shumë shpejt do të festojmë fitoren e plotë të Ukrainës ndaj agresorit.
Përzemërsisht,
Elisa Spiropali
Lajmi kryesor:
Mbështetja ndaj Ukrainës, Zelensky dekoron Spiropalin me çmimin e lartë 'Urdhri i Princeshës Ollga i Klasit të Parë'
V.GJ /ReportTv.al
