Pak hapa larg Amfiteatrit, këto ditë vizitorët e Durrësit, mund të shikonin të vetmen banesë me çardak të zonës, mbështetur në muret bizantine. Por, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, objekti monument kulture i shekullit të XIX-të, i është vendosur dryni. Skena në dhomat e Muzeut Etnografik, e ato dedikuar aktorit Aleksandër Moisiu, aty ku kaloi fëmijërinë e hershme, i ngjajnë tragjedive shekspiriane që ai interpretoi në të gjallë.
“Objekti është restauruar për herë të fundit në vitin 1983 vit, kur në katin e dytë u ngrit Muzeu Etnografik me veshje të trevave të Durrësit dhe prej atëherë nuk ka pasur ndërhyrje të tjera”, thotë specialistja Alketa Tragaj.
Portreti në allçi i Aleksandër Moisiut qëndron i rrëzuar për tokë i shkëputur nga kolona ku gdhendet emri i tij. Ngushëllimi i Qazim Kërtushës, mund të jetë tek kopja e vendosur në Vjenë.
Dikur me tisin e melankolisë së gdhendur, e hijeshinë e aktorit ndërkombëtar, prej çardakut, “Moisiu” ftonte vizitorët të zbulonin rrugëtimin e tij artistik e jetësor, ndërsa prej dy vitesh pret një dorë që ta ngrejë e t’i rikthejë atij e shtëpisë dinjitetin e munguar.
“Mbas verifikimeve të shumta që janë bërë, duke filluar që nga 2019-ta deri në ditët e sotme, nga specialistë të Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Durrës, por edhe specialistë të huaj. Është krijuar një projekt restaurimi, që presim nga momenti në moment të zbatohet”.
Muret e objektit monument kulture janë të dëmtuar. Pasuria në Muzeun Etnografik me kostumet tipike tradicionale e punimet artizanale po ashtu është e përçudnuar, jo vetëm nga tërmeti, por edhe neglizhenca institucionale.
“Këtë projekt e ka hartuar dhe e ndjek Ministria e Kulturës. Kjo ministri ka njoftuar se projekti është hartuar. Është përzgjedhur edhe subjekti dhe pritet që të nisë puna”
Restaurimi i objektit ende nuk ka një datë të caktuar, për fillimin e punës. Banesa është pjesë e fondit “Ambasador”, së bashku me Torrën Veneciane dhe Hamamin Turk. Por, ndërsa banorët, presin që Ministria e Kulturës e Bashkia Durrës të ndërmarrin hapa për zbatimin e punës, shpresat janë tek projekti “EU4Culture”, e cila siç shpjegon ministria e Kulturës për televizionin, po u jep përparësi monumenteve që nuk kanë pronësi private.
“Duke qenë se ndërtesa e Muzeut është në pronësi private, EU4Culture po avancon me ato objekte, që nuk paraqesin të tilla vështirësi. Dhe Muzeu Etnografik është lënë për një moment të dytë, duke qene se e gjithë ajo zonë aty do përfshihet në një plan më të gjerë, TID Durrës. Muzeu Etnografik Durrës është njohur si pronësi private dhe shteti ka paguar qiranë për aktivitetin e ushtruar aty. Pra, këtu nënkuptohet bashkia dhe zyrat rajonale të trashëgimisë në Durrës. Për momentin nuk ka ndonjë avancim në komunikim me pronarët dhe Bashkinë Durrës” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës.
Nuk ka një përgjigje për banorët e Durrësit, e as për vizitorët jashtë tij. Kultura e arkitektura tipike e zonës do të vijojë të jetë e kyçur, për një afat të papërcaktuar. Ndërkaq përtej kangjellave, kalimtarët mund të pikasin ndërtesën, pusin e vjetër në oborr e shkallët e drunjta. Shumëçka mbetet brenda, do t’i humbasë shikimit të tyre, por jo, vonesa e shtetit, për rimëkëmbjen e kësaj trashëgimie të qytetit bregdetar.
Prioritet është gllabërimi i Butrintit që duhet vjedhur e mjelur për vete, pastaj këto të tjerat le të prishen s’ka fett …!
Përgjigju