Prokuroria e Posaçme

U denoncua me filmim se mori 1 mijë euro ryshfet, SPAK vë nën arrest Oficeren Gjyqësore të Elbasanit! Do pushonte çështjen e një të akuzuari për ndërtim pa leje

17 Shtator, 10:55| Përditesimi: 17 Shtator, 10:58

  • Share

Elbasan- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot (17 Shtator) se ka marrë nën akuzë një Oficere Gjyqësore në Elbasan, ndaj të cilës edhe GJKKO ka dhënë masën shtrënguese “arrest shtëpie” dhe Policia e Tiranës e ka ekzekutuar.

Veprimet janë kryer pasi është regjistruar procedimi penal Nr. 180 i vitit 2024, që bën fjalë për kryerjen e veprës penale “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në ngarkim të shtetases së dyshuar A. D.

Hetimet nisën pas denoncimit me filmime mbi rastin korruptiv të oficeres gjyqësore në fjalë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Elbasan.

Në të e dyshuara i kërkonte dhe i merrte shtetases së moshuar H.Ll. shumën prej 1000 euro si shpërblim, për të pushuar çështjen penale në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”.

“Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se shtetasja A. D., me detyrë Oficere e Policisë Gjyqësore, ka konsumuar elementët e veprës penale “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK-ut.

Për këtë shkak Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme caktimin e masës së sigurimit personal më 16 Shtator dhe GJKKO pasi e ka shqyrtuar ka vendosur pranimin dhe dhënien e masës shtrënguese “arrest shtëpie”, sipas Nenit 237 të Kodit Penal. Masa në fjalë konfirmohet se është ekzekutuar nga Policia e Tiranës po dje dhe sot u njoftua zyrtarisht.

“Hetimet për këtë procedim penal vazhdojnë me administrimin e provave të tjera për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, sqaron SPAK.

Pamjet u administruan nga transmetimi i datës 10 Shtator në TCH, teksa hetimet janë ende aktive.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?