TIRANË- Mimoza Tasi është gjyqtarja që do të zëvendësojë Luan Dacin në Komisionin e Posaçëm të Apelimit (KPA). Lajmi konfirmohet nga burime për Report Tv për gazetarin Arsen Rusta.
Zëvendësimi erdhi pasi Daci u dënua dhe u shkarkua me akuzën e falsifikimit të dokumenteve për të fituar postin e anëtarit të KPA.
Kështu trupa e re gjykuese e KPA-së do të jetë e përbërë nga Albana Shtylla, kryetare dhe gjyqtarët Ardian Hajdari, Ina Rama, Natasha Mulaj dhe së fundmi Mimoza Tasi.
Pse u shkarkua Luan Daci?
Luan Daci u dënua me 6 muaj burg konvertuar në një vit shërbim prove dhe kushtin që mos ushtrojë funksione publike. Hetimet e SPAK bindën Gjykatën e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit dhe Apelin e GJKKO të dënojë Luan Dacin me akuzën e falsifikimit të dokumenteve për të fituar postin e anëtarit të KPA. Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.