Pasi Gjykata e Lezhës dënoi 36-vjeçarin me 2 vite burg si iniciator të një proteste të organizuar në dhjetor të vitit 2017-të, ku u shkatërrua flamuri turk, ka reaguar Leon Molla.
Përmes një deklarate ai ka dhënë arsyet që sipas tij, ai nuk duhet të ishte dënuar për këtë ngjarje. Molla shprehet fillimisht se nuk është njohur ende me këtë vendim gjykate të cilën ai e konsideron të padrejtë.
Ai thotë se ky vendim është nxitur nga qarqe të ndryshme turke që kanë një ndikim të madh në politikën shqiptare. Sipas Mollës, nxitja e të rinjve për të hequr flamurin turk nuk ka të bëjë me urrejtjen ndaj një rrace apo feje por e quan të drejtë për ta zhvendosur atë nga qyteti i Mirëditës.
“E përsëris, kjo, jo për shkak të urrejtjes për kombësinë, racën apo fenë e tjetrit, por për të drejtën time e të mirditasve të mi për të ruajtur të pastër çfarë na kanë lënë të parët me sakrifica të panumërta ndër shekuj” – është shprehur ai në deklaratë.
Ngjarja ka ndodhur paraditen e 31 dhjetorit të vitit 2017-ës ku dhjetra persona u mblodhën në Qafë Mollë të Mirditës, duke shkatërruar flamurin turk që ishte vendosur në digën e HEC-it që është ndërtuar nga një kompani turke.
Deklaratë! Të dashur bashkatdhetarë! Vëllezër mirditas!
Miq të shumtë më kanë informuar se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë më ka deklaruar fajtor dhe dënuar në mungesë me 2 vjet burgim për veprën penale të "nxitjes së urrejtjes ose grindjeve" të karakterit racist etj... parashikuar nga neni 265 i kodit Penal. Nuk jam njoh me vendimin dhe nuk e di se si ka arritur kjo gjykatë në këtë përfundim.
Por, paraprakisht kërkoj të siguroj opinionin publik shqiptar e sidomos mirditas, se unë Leon Molla, si shqiptar mirditas, nuk kam asnjë lloj urrejtje për rracat, fetë apo etnitë e ndryshme. Aq më pak të kemë bërë thirrje, apo nxitur urrejtje me karakter të tillë.
U bënë 3 vjet që në Digën e HEC Qafmollë në Mirditë, në shpatinën e saj, mbi 300 burra e djem të ri shkulën nga aty flamurin turk të skalitur e të stërmadh.
Sapo u njoha me këtë fakt, duke u bazuar në historinë e qëndresës 500 vjeçare të Mirditës ndaj pushtimit osman dhe faktit se ai flamur ishtë vendosur pa lejen e organeve kompetente dhe jo në formë të zakonshme por si bazoreliev, u kam bërë thirrje vëllezërve të mi mirditas që ta shkulin flamurin turk nga shpatina e kësaj Dige. E këtë e kam bërë se ai flamur nuk ka vend aty, nuk i takon të jetë aty, por jo se unë urrej flamurin e Turqisë apo besimin e tyre.
Burrat e djemt mirditas u mblodhën dhe me 31 Dhjetor 2017 e hoqën flamurin turk nga trojet e Mirditës. Këtë fakt, me sa duket, Prokuroria Pranë Rrethit Gjyqësor Lezhë e ka konsideruar shkelje të ligjit penal nga ana ime dhe ngriti akuzë ndaj meje për nxitje urrejtje raciste.
Gjykata, e përbërë prej një gjyqtari gjysëmmirditas, me sa duket, më ka dënuar me 2 vjet burgim. Pra, sipas këtij gjykatësi, unë që kam bërë thirrje për heqjen e flamurit turk nga trojet e Mirditës, paskem nxitur urrejtje raciste, fetare etj. Po mbi 300 burra e djem që e kanë shkulur flamurin turk nga Diga e HEC përse nuk paskan kryer vepër penale?! Pse u zgjodha unë për tu dënuar?!
Deklaroj se ky vendim gjyqësor, (gjithmonë nëse është i vërtetë) është nxitur nga qarqe të caktuara turke që kanë ndikim në politikën shqiptare. Me këtë akt të turpshëm deri në përmasa antikombëtare nuk jam dënuar vetëm unë Leon Molla, por është dënuar gjithë Mirdita. Kjo krahinë që ishte, është e do mbetet gjithmonë shqiptare në gjak, tradita, doke e kulturë europiane, ka mbetur e tillë se ka patur burra për ti dal zot. Sigurisht se, sapo të njihem me vendimin do të ndjek të gjitha rrugët ligjore të ankimit në sistemin e drejtësisë kombëtare, e më pas ndërkombëtare.
Ty bravo te qofte more djal,por ne kemi qeverisje plehrash.
Përgjigju