Zbardhet vendimi i arsyetuar i gjykatës për Saimir Tahirin: Favorizoi me ndërgjegjie grupin kriminal të Habilajve! Përdorën për dy vite automjetin e ish-ministrit me pronësinë e tij

8 Mars 2022, 12:14| Përditesimi: 8 Mars 2022, 15:05

  • Share

Është zbardhur vendimi i arsyetuar i Gjykatës për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirit, i cili u dënua nga GJKKO me 5 vite burg, por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim. Pas publikimit të vendimit të argumentuar të Gjykatës, tashmë i hapet rruga për rekurs në Gjyaktën e Lartë, rekurs që është paralajmëruar më herët nga ana e avokatit mbrojtës të ish-ministrit, Maks Haxhia.

Në vendimin e arsyetuar të gjykatës prej, 278 faqesh, gjykata arsyeton se përgjimet e personave e gurpit kriminale Habilaj, që flasin për Saimir Tahirin, janë prova, pasi bashkëbisedimet e tyre janë të sinqerta, pasi nuk kanë dijeni që ata janë duke u përgjuar. Nga ana tjetër rezulton se nuk është i vërtetë konkluzioni i prokurorit se Grupi Kriminal i Habilajt e ka nisur aktivitetin kriminal, kur Saimir Tahiri u bë ministër, pasi aktivitetin kriminal e ka kryer më herët. Por përfshirja e Tahirit si pjesë e grupit, u krijoi atyre lehtësira në trafikim. 

Sipas Gjykatës, Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit. Po ashtu ne vendimin e gjykatës thuhet se familjarët e ish-ministrit kanë pasur kontakte me grupin kriminal. Sipas Gjykatës, automjeti i Tahirit u përdor për dy vite nga grupi kriminal dhe me mosndryshim pronësie, duke favorizuar me ndërgjegjjie grupin kriminal. Provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm, se grupi kriminal i ka blerë ish-ministrit Tahiri dhurata, por nuk rezulton e provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Tahiri, i mori këto dhurata si shpërblim.

Pas një seance maratonë GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim.  Tahiri u dënua vetëm për "Shpërdorim detyre" duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal". Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO nënvizon se rezulton se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.

Ndërkohë, 2 prej 3 gjyqtarëve të Apelit të GJKKO që kanë dënuar Saimir Tahirin me 3 vite e 4 muaj burg ishin në konflikt interesi. Prapaskena u vërtetua dje nga Report Tv, dy ditë pas vendimi që çoi në qeli ish-ministrin e Brendshëm. Vendimi për dënimin e ish ministrit të Brendshëm është marrë nga një trupë gjykuese, e kryesuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi, për të cilin në vitin 2014 vetë Saimir Tahiri kishtë kërkuar ndëshkim për shkelje në 3 procese gjyqësore. Ndërkohë që edhe gjyqtari tjetër Florjan Kalaja ishte në konflikt interesi. Vëllai i tij Aulon Kalaja është anëtar i Këshillit kombëtar të PD dhe gjithnjë ka mbajtur qëndrime shumë të ashpra ndaj Saimir Tahirit.

Kujtojmë se Saimir Tahiri e nisi ‘betejën’ e tij me drejtësinë në vitin 2017, kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm, si ministri më jetëgjatë në atë dikaster. Organet e drejtësisë e vunë në shënjestër pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.

(Kliko këtu për vendimi i arsyetuar i gjykatës )

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?