Senatori amerikan, Bob Menendez, dha dorëheqje nga pozita, pasi u dënua për korrupsion. Menendez tha në një letër se dita e tij e fundit si senator i SHBA-së do të jetë 20 gushti.
Senatori demokrat nga Nju Xhërsi tha se planifikon ta apelojë aktgjykimin dhe se nuk do që Senati “të përfshihet në një proces të gjatë që do ta dëmtonte punën e tij të rëndësishme”.
Guvernatori i Nju Xhërsit, Phil Murphy, gjithashtu demokrat, do të emërojë tani një zëvendësues për Menendezin, i cili ka shërbyer si senator që nga viti 2006.
Ai ka qenë edhe kryetar i Komitetit me ndikim për Marrëdhënie me Jashtë, por ka hequr dorë nga ky post, pasi është akuzuar për korrupsion, vitin e kaluar.
Menendez, 70 vjeç, u shpall fajtor më 16 korrik për të 16 akuzat penale me të cilat ngarkohej, përfshirë pengimin e drejtësisë, mashtrimin dhe zhvatjen.
Vendimi u mor nga një juri në gjykatën federale në Manhatan, pas një gjyqi 9-javor.
Në të njëjtin rast u dënuan edhe dy të bashkëpandehur./REL