Pas 6 muajsh në luftë me vdekjen, 22-vjeçarja keniane Joy Ayoko, e cila u dhunua barbarisht në gusht të vitit të kaluar në Tiranë, ka ndërruar jetë në Kenia. Lajmi është konfirmuar nga nëna e saj për Report Tv Ruth Abongo. 22-vjeçarja u largua nga Shqipëria më 25 janar të këtij viti, drejt vendlindjes për t’u mjekuar në spitalin Kenyatta, në Kenia.
Joy u largua nga spitali i Traumës në “half coma”, pra gjysmë koma, e pavetëdijshme. Prej datës 25 janar trajtimi i Joyt ka qenë intensiv në spitalin e Kenias dhe gjendja e saj dukej se po përmirësohej. E reja pati probleme në stomak ku bëri një ndërhyrje dhe kishte infeksion pas operacionit, por u përmirësua. Ndërkohë në ditë më parë, Joy ka pasur probleme me frymëmarrjen dhe sot në mëngjes ajo ndërroi jetë në shtratin e spitalit.
Kujtojmë se që prej 14 gushtit të vitit 2022 vajza nga Kenia u shtrua për kurim në spitalin e Traumës, pasi u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën "Pandeli Evangjeli" në Tiranë, megjithëse ngjarja është ende e mbuluar me mister. Rasti i dhunimit të 22-vjeçares solli në Tiranë edhe përfaqësues të ambasadës keniane në Itali. Ata diskutuan me nënën e Joy, mjekët që kujdesen për të renë në spital dhe më pas u takuan me efektivët e policisë që po hetojnë ngjarjen, të cilët i kanë çuar në banesën ku ndodhi dhunimi brutal i 22-vjeçares.
Deri më tani, askush nuk është arrestuar në lidhje me rastin, por policia pretendoi se ata janë në ndjekje të autorëve. Autoritetet shqiptare pritet të informohen përmes një letërporosie nga homologët e tyre nga Kenia për vdekjen e 22-vjeçares keniane Joy Abongo, e cila u nda nga jeta mëngjesin e së hënës në vendin e lindjes. Lajmi është i konfirmuar vetëm në rrugë jo zyrtare, përmes nënës së saj. Derisa letërporosia nga Kenia të mbërrij në Tiranë, veprimet hetimore do të vijojnë siç kanë qenë. Me shpalljen zyrtare të vdekjes së Ayoko mund të ndryshoj vepra penale. Prokuroria e Tiranës deri më tani e ka hetuar ngjarjen zyrtarisht për "Plagosja e rëndë me dashje". Në vijim nuk përjashtohet mundësia që vepra penale të rikualifikohet në "Plagosja e rëndë me dashje", me pasojë vdekjen.
22-vjeçarja keniane prej 14 gushtit ndodhej në koma e shtruar në spitalin e Traumës me brinjë e kocka të thyera, lëndime në dorë e stomak dhe dëmtime në tru. Dyshohet se 22 vjeçarja është hedhur nga ballkoni i dhomës së pallatit ku qëndronte, dhe denoncimin në polici e bëri nga një prej shoqeve. E reja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj gjithashtu nga Kenia. Nëna e vajzës keniane, që jetonte në Tiranë me disa shoqe të saj, u njoftua nga kompania e kazinosë që vajza e saj kishte përfunduar në spital. Sipas saj vajza u kishte treguar shoqeve se përndiqej nga një shofer taksie i cili vazhdimisht i kërkonte të krijonin raporte intime.
Zoti i dhëntë hakun atij që i mori jetën një vajze të re...erdhi në Shqipëri për bukën e gojës, i morën jetën...
PërgjigjuNgushellime nenes se saj. Policia duhet ta zbardhe kete krim, mos ta lere pa autor. Kushdo qofte ai qe e ka kryer duhet te pergjigjet para ligjit.
Përgjigju