Gazetari i Report Tv, Elvis Hila foli për sulmin që pësoi për shkak të detyrës nga 2 persona në Lezhë. Ai foli në një bisedë me gazetarin Nertil Agalliu në ‘Sot, live në Shqipëri’ në Report Tv duke sqaruar të gjithë ngjarjen ndërsa në fytyrën e tij dukeshin qartë frakturat që kishte pësuar.
Gazetari Hila tha se ndërhyrja e bashkëshortes për të mos e vijuar më konfliktin dhe fakti që nuk doli nga makina ndikoi që të mos pësonte dëme më të rënda në trup e fytyrë.
“E gjitha lidhej me një lajm që bëhet fjalë për dënimin e një qytetari për falsifikim dokumentesh. Është vendim i gjykatës së Lezhës. Diçka e tillë duket se i ka shqetësuar personat në fjalë. Duken qartë frakturat që më janë shkaktuar.
Në 15:00 jam telefonuar e kërcënuar dhe rreth 1 orë më vonë kam patur një tjetër telefonatë për t’u takuar në bulevardin ‘Gjergj Fishta’. Në ato momente isha bashkë me bashkëshorten dhe e kam telefonuar sapo arrita në vendin e takimit. Nga një automjet tjetër dolën 2 personat që më kishin telefonuar e kërcënuar. Nuk zbrita nga makina dhe filluan të më kërkonin llogari për lajmin e publikuar.
Njëri prej agresorëve ishte djali i personit të dënuar. Më kërkuan të dal, por nuk pranova. Bashkëshortja doli nga makina për ta sheshuar ngjarjen por ata ia hodhën në tokë e më pas u vërsulën drejt meje me grushta e shkelma. Menjëherë kam shkuar në spital. Kam bërë deklarimet e mia dhe policia deri tani ka vepruar dhe është vënë në lëvizje.
Dhunuesit më janë prezantuar me emër kur më kanë telefonuar. Duke iu referuar edhe veprimeve të tyre kam arritur t’i identifikoj dhe në bazë të asaj çfarë ka deklaruar. Më parë nuk kam pasur njohje me personat në fjalë. Ka patur sensibilizim të madh sapo lajmi për dhunën është bërë publik në media. Kam pasur telefonata nga drejtues lokal e qendror duke më inkurajuar që të vijoj punën. Po ashtu ka dhe angazhim maksimal për të vënë para drejtësisë agresorët”, tha Hila.
Lajmi kryesor:
Dhuna ndaj gazetarit të Report Tv Elvis Hila, Reporterët pa Kufij dënojnë sulmin: Të tmerruar! Opozita e Avokati i Popullit: Autorët të vihen para drejtësisë
//ReportTv.al