Merr zgjidhje historia e vogëlushes së diagnostikuar me tumor, falë ndihmës së dhënë nga teleshikuesit në emisionin ’Pa Gjurmë’, Ambra ka nisur kurimin në Ankara të Turqisë. Ky lajm i mirë u përcoll në studion e programit nga nëna e 3-vjeçares. Fatjona, duke falenderuar të gjithë ata që kontribuan për sigurimin e shumës së parave, për kurimin e vajzës tha se tashmë janë në rrugë të mbarë. Nga Ankaraja në një lidhje me viber, ajo nuk ndal dot gëzimin, pasi nuk hoqi dorë së kërkuari ndihmë në ekranin e Report TV.
’Ne kemi 4 ditë që ndodhemi këtu në Turqi. Menjëherë sapo mbërritëm vajza iu nënshtrua të gjitha analizave të domosdoshme. Tashmë Ambra është në duart e doktorëve dhe gjithçka ka patur sukses. Pas emisionit shumë persona reaguan dhe ne arritëm që të siguronim shumën e parave, duke udhëtuar drejt Ankarasë. Nga vizita e parë që kemi bërë është konstatuar se ky tumor nuk ka prekur organet e brendshme të vajzës. Mjekët në Ankara kanë marr përsipër mjekimin, ndërsa presim që të kryhet edhe ndërhyrja kirurgjikale’.
Në prag të ndërrimit të viteve, emisioni ’Pa Gjurmë’ solli historinë e trishtë të vogëlushes me emrin Ambra. 3-vjecarja e diganostikuar me tumor, një sëmundje që i peshon rëndë mbi supet e brishta, me sytë që i shkëlqenin nga dritat e kameras, kërkonte të shihte shpresën.
Familja Sinometa nga studio e emisionit “Pa Gjurmë” kërkoi ndihmë për vajzën, e cila vuan nga kjo sëmundje që në muajin e dytë pas lindjes. Fatjona, nëna e 3-vjeçares rrëfeu me dhembje që ditën kur vuri re shenjën në ngjyrë jeshile, që i doli të bijës në fytyrë, e që i preku edhe njërin sy. Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, çifti dhe 2 fëmijë të mitur jetojnë në kushte të vështira ekonomike, kur pas tërmetit të 26 nëntorit, ata jetojnë në një magazinë në kushte ekstreme për mbijetese.
Pamundësia ekonomike la pa kuruar Ambrën e vogël, e cila nuk e kupton pse nëna e saj lotoi në një studio televizive. Me dëshirën dhe shpresën se një fat të mirë si aoreolë e ka mbi kokë, një fëmijë e bukur si Ambra ne e rikthyem sërish në fokus, historinë e saj për të përcjellë këtë lajm të mire, për të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre.