Florenc Çapja

Kronikë

‘Nuk më ekstraduat, erdha vetë’, Florenc Çapja në GJKKO: S’kam pasur SkyECC! S'kam lidhje me ekzekutimin e babë e bir, as tentativën e vrasjes së Sanxhaktarit! Lihet në qeli

5 Maj, 10:26| Përditesimi: 5 Maj, 11:55

  • Share

Gjykata e Posaçme la në qeli Florenc Çapjan, të shumëkërkuarin e drejtësisë, i cili u ekstradua më 2 maj nga Dubai drejt Tiranës për llogari të autoriteteve shqiptare. Çapja u la në masën “arrest në burg” për veprën penale “sigurim i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” , kryer në bashkëpunim në dëm të Sokol Sanxhaktarit.

Përpara togave të zeza, Çapja i cili ishte në arrati prej 7 vitesh, mohoi të kishte lidhje me ngjarjen ku është tentuar vrasja e Sokol Sanxhaktarit, duke i kërkuar prokurorisë të gjejë prova për të vërtetuar akuzën e ngritur ndaj tij.

Mbrojtësi ligjor i Çapjas paraqiti në sekretari një procesverbal të një seance të procesit “Plumbi i Artë”, ku ka dëshmuar bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani. Procesverbali përmban disa pasazhe në të cilat është përmendur Florenc Çapja nga bashkëpunëtori i drejtësisë.

Përveç ekspozimit të tij në dosjen “Plumbi i Artë”, Florenc Çapja është dënuar me burg përjetë me vendim të formës së prerë për vrasjen e Gentjan dhe Nezir Beqirit, ngjarje e shënuar në 2012 në Elbasan. Por, mësohet se Çapja në seancë e ka mohuar edhe vrasjen e tyre. 

Çapja ka pretenduar se dosja e tij është lënë pa asnjë veprim hetimor dhe ai është dënuar “vetëm me dëshminë e Ervis Bardhit”. 

Çapja është shprehur më tej se nuk ka qenë asnjëherë përdorues i platformës SKY ECC. Më tej ai ka pretenduar se nuk është ekstraduar, por ka qenë vullneti i tij për të ardhur pasi mund të largohej.

"Pse e keni marrë dosjen nga Prokuroria e Elbasanit dhe nuk keni bërë hetime? Dosja ka vetëm deklarimet e Ervis Bardhit.

Pse thoni "u ekstradua". Nuk jam ekstraduar. Kam qëndruar 3 orë në zonë neutrale në Stamboll, po të doja largohesha”, është shprehur Çapja.

Ai po ashtu akuzohet edhe për vrasjen e oficerit Fadil Mema në vitin 2006. Gjykata e Elbasanit pushoi çështjen ndaj tij me argumentin se nuk gjeti prova të mjaftueshme për ta implikuar Çapjan në këtë ngjarje, vendim që u la në fuqi edhe nga gjykata e Durrësit.

Vendimit iu bë rekurs nga prokuroria në Gjykatën e Lartë, teksa me vendim të shkallës së tretë të gjyqësorit kjo çështje është rikthyer sërish për rigjykim në Elbasan.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet, a mendoni se partitë e reja do të marrin deputetë në Kuvend?