Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën 'arrest me burg' për Juxhin Drazhin, anëtari i grupit kriminal të Elvis Doçit i njohur edhe si Visi i Pojës.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, teksa prokurori Vladimir Mara kërkoi vijimin e masës shtrënguese dhënë më herët në mungesë ndaj tij që u pranua nga togat e zeza.
34-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për trafik droge në kuadër të operacionit të koduar “Ura”, u ekstradua një ditë më parë nga Spanja pas arrestimit më 8 gusht nga autoritetet spanjolle në një shtëpi luksoze në Almuñécar (Granada) në të cilën konstatuan se po merreshin masa të shumta sigurie. Shtëpia ishte në një terren të lartë, që i lejonte të monitoronte mjedisin përreth dhe policinë.
Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar dhe disa pasuri të cilat dyshohet se i përkasin Juxhin Drazhit që i ka vënë nëpërmjet aktivitetit kriminal. Në emër të tij rezulton i regjistruar në Durrës një biznes i tregtimit të automjeteve dhe dhënies me qira të tyre. SPAK ka zbuluar dhe sekuestruar 10 pasuri në emër të shoqërisë "Majestic Construction".Pronari i kësaj shoqërie rezulton të jetë aktualisht Nazmi Shahini.
Kalimet e shpeshta të pronësisë së "Majestic Construction" dhe të gjitha pasuritë e sipërfaqeve të tokave të regjistruara në hipotekë në emër të saj, sipas SPAK ngrenë dyshime të forta se i përkasin familjarëve të Juxhin Drazhit.
Komente
