U ekzekutua në Ekuador, shkatërrohen dy bandat e Ergys Dashit në Slloveni! 11 në pranga, sekuestrohen 60 mijë euro

25 Qershor 2022, 08:22| Përditesimi: 25 Qershor 2022, 10:17

  • Share

Në bashkëpunim me autoritetet italiane, policia e Koperit në Slloveni ka shkatërruar dy banda kriminale të të përfshira në trafikun e sasive të mëdha të drogave ilegale. Ata arrestuan 11 të dyshuar dhe sekuestruan disa kilogramë kokainë dhe kanabis dhe mbi 60.000 euro.

Ekipi mblodhi prova se një rrjet droge i drejtuar nga një shtetas shqiptar në Evropë po kontrabandonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut drejt vendeve evropiane. Media Slovenia Times, shkruan se kreu i grupit u vra në një restorant në Ekudador, në fillim të vitit 2022, konkretisht Ergys Dashi.

Sipas hetimeve, në Slloveni, Ergys Dashi është ndihmuar nga një tjetër shqiptar, i cili ndodhej në burg, si edhe nga partnerja e tij nga zona e Izolës. Ajo ishte përgjegjëse për mbështetjen logjistike dhe prokurimin e automjeteve me targa sllovene.

Ky rrjet furnizoi një pjesë të tregut të drogës në Slloveni, me një shtetas slloven që luante një rol kyç në këtë pjesë të operacionit të tyre.

Hetuesit mblodhën prova kundër 21 të dyshuarve të cilët dyshohet se kryen gjithsej 179 vepra të prodhimit dhe trafikimit të paligjshëm të drogës, duke përfshirë 7 të cilët u kapën në Slloveni, disa prej të cilëve tashmë ishin të hetuar më parë për trafik droge.

Sipas hetimit të parë, i cili përfundoi në fillim të prillit, policia sllovene sekuestroi, 2,300 gramë kokainë, 1,100 gramë kanabis dhe 30,000 euro para të gatshme. Në Itali, shifrat ishin dukshëm më të mëdha – më shumë se 80 kilogramë kokainë dhe shtatë kilogramë kanabis, me vlerë 4.5 milionë euro.

Policia e Koperit zbuloi se një grup tjetër kriminal vepronte në zonën bregdetare të Sllovenisë dhe herë pas here punonte me bandën, anëtarët e së cilës u arrestuan në prill. Grupi i dytë furnizonte gjithashtu me drogë klientë nga Sllovenia dhe Italia.

Hetuesit kriminalë mblodhën prova kundër njëmbëdhjetë të dyshuarve që dyshohet se kanë kryer gjithsej 96 vepra të prodhimit dhe trafikimit të paligjshëm të drogës. Hetimi përfundoi këtë javë kur u arrestuan katër të dyshuar, të gjithë shtetas sllovenë nga zona bregdetare. Tre prej tyre janë ndaluar dhe një është arrest shtëpiak. Policia sekuestroi droga të ndryshme të paligjshme, duke përfshirë 2080 gram kokainë, 1150 gram kanabis dhe 35 000 euro cash.

Kush ishte Ergys Dashi?
Ergys Dashi kishte lidhje me Plarent Dervishaj, kunati i Lul Berishës dhe Eldi Dizdarin, të dy të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të strehuar në Dubai, si vendi ku strehohen kriminelët shqiptarë për shkak se qeveria shqiptare nuk ka marrëveshje ekstradimi me autoritete në Dubai. Dervishaj ka qenë i akuzuar si anëtar i bandës së Durrësit, ndërsa Eldi Dizdari njihet për lidhjet mes bosëve të drogës në Amerikën Latine dhe kishte lidhje shumë të forta me Ndraghetën. 

E madje, Dashi në vitin 2014 është arrestuar nga policia italiane po për kultivim droge, si pjesë e një operacioni që çoi prapa hekurave 32 persona. Trafiku i heroinës drejtohej nga shqiptari Ergys Dashi, në atë kohë vetëm 25 vjeç, i cili përfundoi pas hekurave pas një hetimi 3-vjeçar nga autoritete italiane në Pulia. Transporti i drogës, heroinë e cilësisë së shkëlqyer, bëhej përmes makinave të modifikuara. Droga shitej me një çmim konkurrues, si për të lejuar fitime të mëdha për ata që e blenë. 

Si u ekzekutua Ergys Dashi?
Ekzekutimi ka ndodhur 22 janar në orën 19:00, kur një nga autorët ka hyrë brenda lokalit me synimin për të ekzekutuar Ergys Dashin, ndërsa tjetri e priste jashtë me motor për ta larguar. Autori mbante një buqetë me lule në duar, për t'u ruajtur nga kamerat e sigurisë së barit, dhe teksa i është afruar me vrap tavolinës ku ndodhej Dashi ka nxjerrë armë dhe ka qëlluar për vdekje durrsakun, ndërkohë që miku në tavolinë me Dashin ka tentuar të qëllojë autorin me karrige, por është zmbrapsur pasi autori vijonte të qëllonte me armë edhe teksa largohej me vrap jashtë lokalit. Në momentin e ekzekutimit, ka pasur edhe klientë të tjerë në lokal, të cilët kanë mbetur të tmerruar nga breshëria e armës. Në vendngjarje, ekspertët e kriminalistikës kanë grumbulluar mbi 20 gëzhoja. Sipas mediave në Ekuador, dyshohet se Dashi është i përfshirë në trafikun e kokainës dhe se prishja e pazareve të drogës të jetë shkak i ekzekutimit të tij nga bandat rivale. 

Viktima Ergys Dashi, ekzekutuar më 23 janar 2022

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?