Viti 2018, u shpall viti i “Viti i Gjergj Kastriotit”, në nderim të 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, por përfundoi viti i protestave.
Protesta e Kukësit 31 Mars 2018
Një protestë masive u zhvillua në 31 mars të këtij viti, pasi kuksianët protestuan kundër vendosjes së taksës për kalimin e mjeteve në Rrugën e Kombit. Mijëra qytetarë të Kukësit dhe Kosovës kundërshtuan pagesën e përcaktuar nga qeveria dhe koncesioni i mirëmbajtjes së rrugës. Një tubim i dhunshëm, mes përplasjeve të shumta midis protestuesve dhe forcave të rendit. Protesta në “Rrugën e Kombit” doli jashtë kontrollit, dhe protestuesit pasi u përleshën me forcat e policisë, shkatërruan dhe koncesionarin e ngritur për pagesën e taksës, duke i vënë flakën. Gjithashtu goditën me gur punonjësit e policisë, dhe 12 prej tyre u plagosën.
Kush e vuri atë zjarr, kush ushtroi vandalizëm, mbi pronën publike dhe private, dhe kush guxoi të ngrejë dorë mbi policinë, duke cënuar njëkohësisht rendin dhe sigurinë e shumë udhëtarëve, përmes bllokimit të dhunshëm, nuk do të ketë asnjë shans ti shpëtojë dënimit të ligjit.
Edi Rama, kryeministër
Edi Rama di vetëm pare dhe burg, ku ti marrim paret ne, ca është ky ligj. Në mesnatë, policia ka hyrë në mënyrë barbare nëpër shpia, prandaj unë kujtova, me frikësime shumë të mëdhaja, qoftë nga fëmija, qoftë nga gratë, thashë hyri Serbia. Ne kemi dalë si gjithë kuksianët, nuk kemi dalë për cështje politike, por për cështje ekonomike. Si me qenë në luftë. Kanë bërë tortura.
Qytetarët
Për ditë me radhë kuksianët shkaktuan trazira, aq sa 23 persona përfunduan të arrestuar. Në fund, qeveria rishikoi tarifat duke i ulur ato ndjeshëm dhe duke favorizuar banorët.
Protesta e Teatrit
Teatrin e ri do ta bëjmë, dhe atë godinën aty do ta shembim, që ta keni shumë të qartë.
Edi Rama, kryeministër
Projektligji për shembjen e Teatrit kombëtar shkaktoi jo pak trazira në vend, duke bërë bashkë artistët, politikanët dhe qytetarë të ndryshëm. Artistë të ndryshëm për ditë me radhe i bënë thirrje ministres që të tërhiqet nga pr.ligji për Teatrin.
Ai është vend i shenjtë, e ka thënë Robert Ndrenika, ai vend është Jeruzalem, dhe ai vend nuk do të preket, aty fillojnë dhe mbarojnë bisedimet me ne.
Arben Derhemi, aktor
Jo pak bujë, bëri debati mes aktorit Robert Ndrenika me Ministren Kumbaro dhe Erion Veliajn. (Debati Kumbaro-Ndrenika-Veliaj, 13/ 14 qershor)
E dhashë shtëpinë te një partneritet public-privat, dhe vuajta 3 vjet gjyqe. Nëse tërë Teatrin, është 4/4, ¼ është salla, ¾ është skena.
Robert Ndrenika, aktor
Të pranojmë një gjë, unë besoj se vlera e Teatrit jeni ju. Kemi bërë një listë nga inspektimet, që duhet të ketë një Teatër modern, që nuk i ka Teatri sot. Bilateri me hapësira pritje, garderobëe për spektatorët, dhoma zhveshjesh për aktorët, dushe për aktorët,dhoma teknike për sistemi kontrolli apo pulti komandimi. Kostot dhe me çmimin e Shqipërisë, për Teatrin, nëse do ti bënim një ekuivalentim për rreth 950 metër katror,do të ishin 30 milion euro, duke pasur parasysh një investim 3 mijë euro për metër katror.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë
Teatrot në provincë kanë vdekur. Zonja ministre tunduni se nuk jeni në rregull. Teatrot në Bashki kanë vdekur. Zonja minister unë të flas se dua Shqipërinë, dua Teatrin. Unë e kam lidhur jetën me Teatrin. Dua të më respektosh si artist, kaq dua në jetën time. Unë nuk jam servile, unë jam i vërtetë.
Bujar Asqeriu, aktor
Protesta e minatorëve
Miratimi i statusit të minatorit, vazhdon të ngelet një prej problemeve më të mëdha për punonjësit e nëntokës, të cilët për 27 vite me radhë kanë protestuar fuqimisht për të drejtat e tyre. Parlamentit dhe qeverisë i janë paraqitur deri më tani 3 drafte për finalizimin e tij. Përgjatë gjithë vitit 2018, minatorët kanë bërë disa protesta rresht, duke kërkuar me ngulm të drejtat e tyre.
Ne kemi ngelur në rrugë, kërkojmë statusin, kërkojmë të drejtën tonë, kemi punuar gjithë ato vite në kushte të vështira. Kur do ta marrim, kur të vdesim?
Minatorët
Minatorët janë shprehur se jetojnë në kushte skandaloze, s’kanë para as për ilaçe, dhe shumica prej tyre vuajnë nga sëmundje të rënda. Në 21 mars, minatorët nga e gjithë Shqipëria u mblodhën në një protestë para kryeministrisë. Ata vendosën një afat për kryeministrin, dhe pas mbarimit të afatit, minatorët tentuan të futen brenda kryeministrisë, gjë që solli dhe përplasjen e tyre me forcat e policisë. Minatorët tentuan të hyjnë në kryeministri dhe të takojnë kryeministrin Rama, pasi nuk morën një përgjigje prej këtij të fundit pas afatit që kishin vendosur.
Takimi brenda në Kryeministri nuk ishte as mish as peshk. Gjithsesi, unë mendoj që qëllimi i kësaj proteste u arrit. Janë mishëruar disa nga kërkesat bazë që janë: Pensioni minimal i minatorit jo më pak se 135% e pagës minimale zyrtare, përshkallëzim i moshës së pensionit, trajtimi mjekësor falas, trajtimi i famileve të minatorëve që humbin jetën. Kjo nuk do të thotë që ne jemi të gëzuar. Të gëzuar do të jemi kur të biem në një emërues të përbashkët.
Minatorët
Protesta e farmacistëve dhe bizneseve të vogla
Miratimi dhe hyrja e menjëhershme në fuqi nga data 5 maj e në vijim e listës së re të barnave provokoi një reagim të fortë brenda komunitetit të farmacistëve. Urdhri i Farmacistit fajësoi strukturat shëndetësore se, përmes publikimit pa një njoftim paraprak të listës kanë shkaktuar një dëm tepër të madh financiar në të gjithë rrjetin e hapur farmaceutik duke e zhytur atë në kaos. Në maj të vitit 2018, farmacistët u bënë bashkë kundër shkeljeve të bëra në kontratën e FSDKSH (Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, që deklaroi se kontrata ishte hartuar në fshehtësi të plotë nga FSDKSH.
Farmacistët më kanë ngarkuar që të përcjell në emër të tyre, kërkesën për pezullimin e vendimit nr 5, të datës 4 maj, të viti 2018, pasi për sa kohë nuk pezullohet ky vendim kontrata e paraqitur paraprakisht dhe e miratuar brenda kësaj date, mbetet në fuqi.
Diana Toma, drejtoreshë e UFSH
Urdhri i farmacisteve te Shqipërisë zhvilloi protestë para kryeminsitrisë duke akuzuar fondin e sigurimit te kujdesit shëndetësor, se nuk e ka vënë ne dijeni per futjen ne treg te listës se re te barnave te rimbursueshme. Farmacistët u tërhoqën nga protesta pas takimit që Ministrja Ogerta Manastirliu pati me drejtuesen e Urdhrit të Farmacistëve Diana Toma.
Në fund të takimit u ra dakord, që të ngrihet një grup pune me përfaësim dypalësh, me përfaqësues të fondit dhe të farmacistëve, për të diskutuar për kontratën në tërësi, si dhe për stabilizimin e situatave që ajo përmban. Protesta e paralajmëruar do të ishte forma kulminante nëse nuk do të kishte reagim. Nesër përfaësues të rajoneve, do të vijnë në Tiranë, dhe do të ulen në truezën e rrumbullaët për të diskutuar për kontratën e re, pikërisht atë që kërkonim.
Diana Toma, drejtoreshë e UFSH
Penalizohemi në çdo mënyrë, në të gjitha pikatduke filluar që nga rimbursimi, dhe shitja me lek në dorë, dhe alternativat e para që nuk na rimbursohen më, stoku që kemi në farmaci që nuk e justifikojmë dot në dalje. Jemi të zhgënjyer dhe nga ana e shteti që nuk po merr asnjë farë mase.
Gentjan Saliasi, farmacist
Biznesi vogël ul qepenët
Një muaj pas protestës së farmacistëve, është biznesi i vogël që ul qepenët. Të nxitur nga Partia Demokratike, bizneset ulën qepenët në disa pika të Tiranës duke nisur nga: Tregu çam, medreseja, tregu elektrik, tregu ushqimor, dyqanet te rruga e Durrësit, dhe e Kavajës. Tregtarët paralajmëruan se vendosja e TVSH-së për biznesin e vogël do t'i çojë ata drejt falimentimit. Por edhe pse të nxitur nga opozita, tregtarët refuzuan prezencën e deputetëve të PD-së dhe LSI-së, duke i akuzuar se po shfrytëzonin kauzën e tyre për të bërë politikë. Mes tregtarëve dhe deputetëve të opozitës pati shumë përplasje
Ky është një hap, bravo ju qoftë. Ne jemi këtu për tu treguar që jemi me ju, bllokojmë rrugën, bllokojmë kryeministrinë.
Luçiano Boçi, deputet i PD
Unë e kam thënë, janë kusuret e juaja këto. Monika Kryemadhi, president burrin, vetë kryetare, çfarë sheh ky popull. Shikojnë ata që janë xhepa të mëdhenj. Kanë qenë 8 vjet.
Tregtarë
Protesta e Astirit/Shkozës
Projekti për zgjerimin e Unazës së Madhe shkaktoi jo pak trazira në vend. Zgjerimi i Unazës së Madhe prek 317 objekte në tri njësi administrative, 6, 7 dhe 11, shumica e të cilave janë dyqëllimshe, për strehim e biznes.
Unë dua të bëj me dije që ky është një projekt i rëndësishëm dhe është një projekt për 100 vitet e ardhshme.
Afrim Qendro, drejtor i ARRSH
Prej 52 ditësh, banorët e zonës së Astirit protestojnë duke bllokuar rrugët, dhe jo pak herë kanë shkaktuar trazira. Banorët tentuan të shkatërronin kantierin e ndërtimit që ndodhej afër zonës ku protestonin dhe dogjën koshat e mbeturinave. U desh ndërhyrja e forcave Shqiponja dhe të ndërhyrjes së shpejtë për të sbailizuar situatën. Si pasojë e përplasjeve, dhjetra banorë u shoqëruan në komisariat. Përplasja me e dhunshme ndodhi para parlamentit, pasi efektivja Iva Nuka humbi 3 gishtat e dorës pas hedhjes së kapsollave nga 18-vjeçari, Daniel Drobaj. Nga protesta, u plagosën dhe dhjetra efektivë të tjerë policie. Ndërkohë, të nxitur nga opozita, banorët e Astirit vazhdojë të protestojnë, ndërsa punonjësit e IMT-së dhe të Bashkisë kanë nisur punën për shembjen e banesave. Disa prej banorëve të Astirit kanë pranuar bonuset që Bashkia e Tiranës ka ofruar, duke përfituar banesa sociale.
I dhashë fjalën kryetarit si burrat dhe e mbajta fjalën. Nuk kemi arsye pse të dalim kundra projektit dhe kundër zhvillimit përderisa kjo është për të mirën e të gjithë komunitetit dhe të gjithë banorëve në Tiranë dhe gjithë Shqipërisë.Kjo është e vetmja mënyrë që të mund të vazhdojmë të punojmë dhe të zhvillohet Tirana.Ky është një mesazh për të gjithë njerëzit të ndërgjegjësohen dhe të mos pengojnë zhvillimin e Tiranës. Është e mira e të gjithë neve.
Ukë Çelkolaj, banor
Protesta e studentëve
Protesta studentore u shndërrua në kryfjalën e muajit dhjetor. Për 16 ditë rresht studentët protestuan, duke rikthyer edhe njëherë dhjetorin e protestave. Studentët kërkuan plotësimin e 8 kërkesave, ndër më të rëndësishmet, përgjysmimi i tarifës së studimit, dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë, dhe heqjen e tarifës për provimet e mbartura. Pikërisht kjo e fundit ishte dhe kërkesa e parë që u plotësua nga qeveria, duke hequr VKM-në për tarifën e provimeve të mbartura. Por studentët nuk u mjaftuan me kaq. Ata vazhduan rezitencëne tyre, ndërsa kryeministri Rama vazhdoi me kërkesën e tij kryesore për dialog.
Do ti shkarkojmë, të gjithë përfaqësuesit e qeverisë në bordet e administrimit, si ju duket kjo, por nuk bëj asnjë lëvizje unë, po nuk erdhët të flisnit ju. O hajde ti bëjmë bashkë, ose rrini atje. Këtë di të them unë. Unë për ju bëj gjithcka nëse ju jeni të gatshëm të vini te unë.
Edi Rama, kryeministër
Por një nga qëndrimet më të forta të studentëve ishte dhe refuzimi për dialog (Efekte, studentët refuzojnë Ramën për dialog). Studentët mbyllën protestën e tyre për këtë vit, duke lajmëruar se do të rikthehen në janar. Pas më shumë se dy javëve rezistencë, studentët lajmëruan se kanë nevojë për të marrë pak pushim, për t’u rikthyer me energji të reja pas festave. Në këtë mënyrë, protestat e studentëve kanë ndaluar pavarësisht se tetë kërkesat e tyre nuk u përmbushën nga qeveria.
Nëse do të bënim një bilanc, të protestave të këtij viti, do të thosha që ka pasur një bum, ose volum të madh të protetave këtë vit. Shumë shtresa shoqërore janë zgjuar, janë nxitur dhe janë organizuar në nivelin e protestave. Pavarësisht nga kultura e protestës që është më qytetare, është bërë në formën e një reagimi më të pranueshëm, në kushtet e bashkëjetesës sonë shoqëore. Mendoj se protestat e shumta, tregojnë disa elementë ose aspekte sociale psikologjike të fenomenit të sotëm. Mendoj se kemi një vetëdijësim më të lartë të shoqërisë shqiptare. Njerëzit janë lodhur nga periudha e tranzicionit, nuk është krijuar as stabiliteti dhe qendrueshmëria e nevojshme e shtresave shqoërore. Dhe si të tilla, secila prej tyre kërkon të zëjë vend, jo vetëm individualisht por edhe në nivelin e grupit, shoqëror përkatës. Dhe ky nivel ndërgjejgësimi kulturor, i bën ato që të reagojnë për vendin dhe pozitën shoqërore në shoqëri. Së dyti, kjo lidhet dhe faktin që problemet janë akumuluar, gjatë këtyre viteve, dhe është një monet ngopje në aspektin social, ekonomik dhe politik të vendit. Dhe kjo ngopje kërkon të shfryrje të vazhdueshme, një çlirim tensdioni që realizohet nëpërmjet protestave. Vetëdija dhe ndërgjegjësimi i shtresave të ndryshme, lidhet me ndërgjegjësimin për nevojat që kanë. Duke qenë se zhvillimi shoqëror, pavarësisht nga ndikimi i politikës apo i pushtetit, individët në vetvete, ecin dhe investohen, në statusin dhe mënyrën e tyre të jetesës, dhe janë rritur dhe kanë akumuluar një status më të lartë, qoftë ekonomik, qoftë shoqëror, ose politik, dhe sit ë tillë ata kërkojnë realizimin dhe plotësimin e nevojave më të larta. Në momentin që individi plotëson një nevojë, ai kërkon një nevojë të re, më të avancuar. Në këtë aspect shoqëria shqiptare është duke kërkuar më tepër se ku është, dhe ky është niveli i ndërgjegjësimit më të lartë të shoqërisë. Së dyti, në një aspekt tjetër, klasa politike në përgjithësi është konsumuar tashmë, pas 28 viteve tranzicion. Janë të njëjtët aktorë që kanë mbetur në pushtet. Janë konsumuar në shumë aspekte, dhe ky lloj konsumi i ka bërë të paapranueshëm.
Edmond Dragoti, sociolog