Arsen Feci gjatë ekstradimit nga NCA

U fsheh në Spanjë pas arratisë, ekstradohet në Angli 46-vjeçari shqiptar! Kreu i NCA: Trafikonte klandestinë nga Franca dhe Belgjika, siguronte pajisjet për organizatën (EMRI)

21 Nëntor, 22:15| Përditesimi: 21 Nëntor, 22:25

  • Share

Angli- Autoritetet britanike kanë ekstraduar dje (20 nëntor) nga Spanja një shqiptar të kërkuar që akuzohej për trafik ndërkombëtar klandestinësh, kryesisht në hapësirën detare mes Francës dhe Anglisë.

I akuzuari është Arsen Feci, 46 vjeç (në foto), banues në Nottingam. Ai ishte i dyshuar si i përfshirë në një grup të krimit të organizuar të kontrabandës me njerëz, që sillte njerëz nga Franca dhe Belgjika në ishull.

Feci ishte arratisur nga Anglia prej vitit të kaluar, teksa masa e sigurisë ndaj tij ishte zbutur prej gjykatës britanike. Ai e shfrytëzoi këtë për t’u larguar dhe fshehur në Spanjë, derisa u arrestua në muajin Gusht të këtij viti me qëllim ekstradimi.

Zyra e NCA-së (Policia Britanike/ National Crime Agency), konfirmoi se oficerët e arrestuan Fecin pasi zbriti nga avioni i linjës, në aeroportin e Hithrou (Londër).

“Ai ishte arratisur prej muajit Mars të vitit 2023, kur u lirua me kusht nga gjykatat përpara gjyqit të tij. Ai u paraqit para Gjykatës së Kurorës së Nottinghamit këtë mëngjes (21 nëntor) i akuzuar për asistimin e emigracionit të paligjshëm në MB”, shkruhet në faqen zyrtare të NCA.

Hetuesit e NCA besojnë se Feci ishte i përfshirë në blerjen e pajisjeve dhe sigurimin e njerëzve për të mundësuar me rrjetin e tij kalimet ilegale me mjete lundruse, nga Franca dhe Belgjika në MB.

Atij i është caktuar masa e paraburgimit dhe më pas do të paraqitet në të njëjtën gjykatë më 16 Janar 2025. Derek Evans, komandanti i degës së NCA, tha:

"Arsen Feci u largua nga Britania e Madhe pasi u akuzua për përfshirjen e tij të supozuar në një bandë kontrabande njerëzish që sillte njerëz në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla. Ne besojmë se roli i tij në grup ishte të siguronte pajisje dhe njerëz për të siguruar që kalimet të ishin të suksesshme. Falë policisë spanjolle, Feci tani është arrestuar dhe është kthyer në MB”.

Më tej dha edhe detaje mbi operacionet e përbashkëta me policitë partnere.

"NCA ka shtrirje globale dhe ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për t'i sjellë ata që përpiqen t'i shmangen drejtësisë përsëri në MB për t'u përballur me gjykatat", u shpreh Evans.

Operacioni kundër trafikimit të klandestinëve ishte zhvilluar më 15 Mars 2023, ku mes 5 të ndaluarve, po shqiptarë, ishte edhe Feci.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?