Vëllai i 29-vjeçarit që u gjet i varur në Bruksel, Redi Halilaj, ka hedhur poshtë spekulimet që vdekja ka të bëjë me çështje kriminale, duke sqaruar se e gjithë ngjarja ka të bëjë me vetëvrasje nga depresioni.
Në një intervistë për Top News, ai tregoi se autoritetet belge kanë përfunduar autopsinë, e cila konfirmon vetëvrasjen dhe nuk ka gjetur shenja dhune në trupin e të ndjerit.
“Është çështje depresioni, nuk ka të bëjë me gjëra të tjera që thuhen në media. Nuk e dimë çfarë problemesh ka pasur vëllai, por mesazhet që na ka dërguar na kanë bërë të dyshojmë se ka shkuar në gjendje depresioni”, tha ai.
Redi theksoi se disa anëtarë të familjes kishin marrë mesazhe nga Bekimi pak para ngjarjes dhe kërkoi që mediat të mos e keqinterpretojnë rastin.
“Mua më ka informuar policia për gjithçka. Autopsia ka dalë që është vetëvrasje. Nuk ka pasur asnjë shenjë dhune në trup”.
Avokatja Enida Rrapai ka deklaruar se çështja është e një intensiteti të lartë, dhe pista kryesore ku prokurori po heton është ajo e vetëvrasjes.
“Pista kryesore është pjesa e vetëvrasjes të vetmet palë që mund të kenë informacion të detajuar janë vetëm personat e familjes që mund të kenë akses në dosje, pasi mund të regjistrohen si palë civile”, tha avokatja.
Bekim Halilaj, 29 vjeç, nga fshati Bicaj i Kukësit, është gjetur i pajetë më 30 shtator në Bruksel, në rrethana ende të paqarta. Trupi i tij u zbulua i varur në një tabelë sinjalizimi rrugor, ndërsa sot familjarët i dhanë lamtumirën e fundit në vendlindje. /TCH
Lajmi kryesor:
U gjet i varur në një tabelë në Bruksel, të riut shqiptar i jepet lamtumira në Kukës! I dënuar për trafik kokaine në Angli
V.GJ /ReportTv.al
