Detaje të reja dalin nga vdekja e Ilir Markut, 36-vjeçarit që u gjet i pajetë në një bunker në zonën e Institutit në Tiranë. Report Tv mëson se është arrestuar Mariglen Isufi, 28 vjeç, i cili akuzohet nga policia për veprën penale “fshehje të kufomës”. Ditën e ngjarjes, bashkë me Ilir Markun kanë qenë në afërsi të bunkerit, në një lëndin me bar, ndërsa kanë konsumuar lëndë narkotike.
Nga mbidoza, Ilir Marku ka humbur ndjenjat. Menjëherë pas ngjarjes, Mariglen Isufi është larguar për në banesë, duke e lënë mikun e tij të vetëm. Mëngjesin tjetër ka shkuar sërish tek i njëjti vend dhe Ilir Markun e ka gjetur të vdekur. Trupin e pajetë të 36-vjeçarit e ka tërhequr zvarr për 10 apo 15 metra dhe e ka futur në brendësi të bunkerit, duke e mbuluar me kartona.
Pas dyshimeve se Marku konsumonte lëndë narkotike, policia intensifikoi kërkimet, ndërsa ra në gjurmët e viktimës. Pas veprimeve operative u identifikua edhe Mariglen Isufi, i cili pas arrestimit u tha hetuesve se nuk bëri denoncim në polici pasi kishte pasur frikë.