U gjobitën se nuk deklaruan aksionerët, Bilali në Report TV: Do falim gjobat, bizneset që i kanë paguar do iu kthehen lekët, afati i deklarimit deri më 1 prill 2022

21 Dhjetor 2021, 19:42| Përditesimi: 21 Dhjetor 2021, 21:05

  • Share

TIRANË- Të gjitha ato biznese që kanë paguar gjobat pasi nuk kishin deklaruar pronarin përfitues, siç e parashikon ligji “Për regjistrin e pronarëve përfitues” i miratuar në 2020, do t’i marrin lekët mbrapsht. Lajmi u bë me dije nga ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Edona Bilali e cila ishte e ftuar në emisionin ‘Studio Live’ të gazetarit Arbër Hitaj.

Nga ky vendim do të përfitojnë 109 biznese, teksa Bilali ritheksoi se gjoba do të falet edhe për 927 bizneset e tjera që ende nuk e kanë deklaruar përfituesin. Afati i deklarimit do të jetë i vlefshëm deri më 1 prill të vitit 2022. Sakaq, Bizneset e reja që do të hapen në vijimësi nuk do të lejohen që të regjistrohen pa deklaruar fillimisht përfituesin.

“Problemet burokratike, nëse dikush do të marrë një leje e ka të qartë procedurën, por nga numri total i ditëve që duhet ta merrte, krahasime realitetin, nuk ka përputhje. Sfida e momentit lidhet me fiskalizimin, problem tjetër ishte ligji për pronarët përfitues sepse lidhet me mosinformime. Gjobat do të falen dhe kush i ka paguar do t’iu kthehen mbrapsht.

Nëse biznesi ka ortak, ai që merr paratë, deri dje kishte mundësi ta nxirrte kapitalin, me ligjin e ri shteti do të dijë kush është përfituesi fundor. Një pjesë e bizneseve nuk e deklaruan pronarin nga padija. Kushdo që i ka paguar gjobat do iu kthehen lekët dhe ata që s’i kanë paguar do iu falen, shtyhet afati deri më 1 prill. Ndërkohë bizneset e reja nuk do kenë mundësi të regjistrohen pa deklaruar përfituesin”, tha Bilali në Report Tv.

Ministrja Bilali u ndal edhe në vendimin e Këshillit të ministrave për ‘start up’. Ajo shpjegoi se të rinjtë brenda ose jashtë Shqipërisë mund të regjistrojnë ‘start up’-et e tyre në e-Albania dhe më pas do të vlerësohet nga ekspertë, por ‘ok’ do të japin ministritë.

Ata që do të marrin konfirmimin do të testojnë idenë e tyre për 24 muaj, ndërkohë që nuk do të paguajnë taksa. Bilali tha se kjo nismë pritet të fillojë nga pranvera e vitit të ardhshëm ndërsa në dispozicion janë 10 milionë euro për 4 vite që do të jepen në formën e grantit.

“Ky ligj është përfolur prej dy vitesh e gjysmë. Nisi mbi modelin italian më vonë është përpunuar duke u përshtatur me disa modele të BE. Ligjit i vendosur, është ndër ligjet më të thjeshta dhe më të gjëra që mund të ekzistojë në fushën e start up. Me këtë ligj kemi arritur të ofrojmë gjëra ekstra. Kemi futur ‘nomadin digjital’, çdo njeri me një laptop nga e gjithë bota mund të vijë në Shqipëri. Kemi futur ‘pa letër’, do mbyllen sportelet, por askush nuk e humb vendin e punës, por shanset për korrupsion ulen, si edhe për biznesin koha është e rëndësishme. Çdo person që e deklaron që është start up do regjistrohet në e-Albania. Jo çdo biznes i ri është ‘start up’, por kushdo e quan veten do deklarohet.

Kemi futur edhe ‘one stop shop’, kur këto ‘start up’ deklarohen për to fillon një periudhë 24 mujore, ata testojnë idenë e tyre dhe nuk paguajnë asnjë taksë. Me krijim e VKM-së dhe të urdhrave do jetë e përcaktuar sesi do disbursohen fondet, do jenë në formë granti. Ky është një lajm fantastik. 4 vite, 10 milionë euro, 2.5 milionë euro në vit.

Nëse çdo i ri dhe e re nga Shqipëria apo gjithë bota, në momentin që kanë një ide që mund të testojnë në Shqipëri, vjen dhe merr informacionin për të gjithë kuadrin, më vonë kur hapet thirrja ai aplikon, këtë ide e vlerëson një këshill, ku janë vetë pjesëmarrës nga ekosistemi dhe ekspertë të fushës, dhe ministritë i japin konfirmimin nëse është konfrom ligjit. Targeti jonë është që në pranverë të jemi gati”, tha ministrja në Report Tv.

*Pronar përfitues, sipas ligjit, është individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit, përmes pronësisë direkte ose indirekte një përqindje, të: aksioneve/kuotave; pjesëmarrjes në kapitalin e subjektit; të drejtave të votimit; ose përfiton nga transaksionet e kryera nga subjekti në emër të tij.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?