Astrit Beqiri, i arrestuar dje në Shkodër si kreu i një grupi kriminal në trafikun e drogërave të forta, është mbajtur nën vëzhgim për rreth 4 muaj me radhë, nga moment i hyrjes së tij në territorin shqiptar. Burime pranë policisë thanë për Report Tv se 51-vjeçari ka hyrë në territorin shqiptar nga Pika Kufitare e Malit të Zi në mënyrë të rregullt, e jo në mënyrë ilegale. Mbajtja e tij nën vëzhgim është bërë për të zbuluar edhe anëtarë të tjerë të grupit që merreshin me trafikun e drogës.
Operacioni për kapjen e 51 vjeçarit nga Shkodra u bë mëngjesin e djeshëm në banesën e tij, ndërsa në kërkim është shpallur edhe kunati i Beqirit, Jetmir Kastrati, i njohur ndryshe nga autoritetet në Danimarkë si Sokol Krasniqi me shtetësi kosovare. Në operacion asistoi edhe EUROPOL, ndërsa në 6 shtete të tjera, në Danimarkë, në Suedi, Gjermani, Holandë, Belgjikë, Slloveni, u arrestuan edhe 42 persona të tjerë.
Grupi akuzohet se ka trafikuar mbi 1 650 kg kokainë dhe heroinë brenda vendeve të BE-së, ndërsa u sekuestrua rreth 40 kg kokainë e 600 mijë euro. Vetëm dje në Shkodër, në pronësi të Beqirit e kunatit të tij u bllokuan 200 mijë euro, 7 automjete, 1 biznes pulari në Bërdicë, me vlerë investimi mbi 1 milion euro, në emër të Beqirit, si dhe 6 banesa në Velipojë.