Familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ku banesat e tyre u kthyen në të pabanueshme, janë duke përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi në çadra dhe kontejnerë. Pavarësisht situatës së vështirë, banorët që ndodhen të strehuar në çadra po ndihmohen me pako ushqimore nga bashkitë dhe rezervat e shtetit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka qenë i pranishëm në shpërndarjen e ndihmave ushqimore në zonën e Farkës së Madhe dhe Farkës së Vogël. Veliaj komunikoi me disa prej familjeve si ajo e Ardjan Allarait, Maringlen Ballës, Ramazan Memës e Petrit Koshit, për t'u shprehur të gjithë gatishmërinë e bashkisë dhe për çdo kërkesë që ata kanë, të telefonojnë në numrat që u janë dhënë pasi grupet e punës së bashkisë do ju përgjigjen në këtë situatë të vështirë pandemie.
Bashkia e Tiranës vazhdon çdo ditë të ndihmojë me pako ushqimore njerëzit në nevojë dhe të moshuarit, të cilët në këto ditë të vështira pas përhapjes së virusit COVID-19, e kanë të pamundur të dalin nga shtëpitë.
Nisur nga pezullimi i frekuentimit të çerdheve dhe kopshteve në këtë periudhë, Këshilli Bashkiak vendosi pak ditë më parë që Bashkia e Tiranës ta përdorë sasinë e tyre ushqimore për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, që ata ta kalojnë sa më lehtë këtë situatë të krijuar nga COVID-19. Ushqimet e gatshme, por edhe pakot me ushqime, do të grumbullohen dhe më pas do të shpërndahen në banesat e shtresave në nevojë nga Bashkia e Tiranës nëpërmjet punonjësve të qendrave sociale, njësive administrative dhe grupeve të ngritura enkas për këtë qëllim.
Bashkia e Elbasanit e ndihmuar edhe nga një shoqatë ka shpërndarë ndihma ushqimore për 293 familje në nevojë në këtë periudhë të vështirë të pandemisë së koronavirusit. Konkretisht ndihmat janë shpërndarë për 52 familje në Shushicë, 50 familje në Shirgjan, 50 familje në Gjergjan, 51 familje në Tregan dhe 90 familje në njësinë nr. 2 në qytet.
Po ashtu, si çdo ditë, ekipi i Qendrës Balashe ka shpërndarë vaktet ushqimore për 90 të moshuar të vetmuar dhe 10 persona me aftësi ndryshe.