'O lekët, o të thera', grabitet e moshuara në Maliq: Autori fiku dritat, më lidhi duart e më dhunoi! Më mori 10 mijë euro, ishte djalë i ri

5 Janar 2023, 21:07| Përditesimi: 5 Janar 2023, 22:32

  • Share

KORÇË- 10 mijë euro i janë grabitur një të moshuare në Maliq. Luljeta Hoxha është 67-vjeçarja që ka rënë pre e grabitjes 8 ditë më parë në fshatin Pirg, ndërsa edhe është dhunuar nga grabitësi. Grabitja ka ndodhur rreth orës 02:50 më 29 dhjetor, ndërsa e moshuara jeton e vetme.

Në një rrëfim për Report Tv, Hoxha tregon me detaje sesi ka ndodhur grabitja. 67-vjeçarja thotë se grabitësi ishte një djalë i ri, 30-35 vjeç, i cili para se të futej në banesë i ka fikur dritat. Ajo tregon se grabitësi ishte i maskuar me një maskë të zezë dhe sapo është futur brenda në shtëpi i ka marrë celularin dhe e ka kërcënuar me thikë që t’i japë paratë. ‘Ose lekët, ose të thera’, ky ishte kërcënimi i grabitësit, ndërsa në këtë moment, 67-vjeçarja thotë se grabitësi e ka tërhequr zvarrë nga banjo deri tek dhoma e pritjes, e ka dhunuar dhe më pas ajo ka humbur ndjenjat.

Pasi ka ardhur në vete, Hoxha thotë se ka arritur që të lirohet vetë dhe menjëherë ka lajmëruar fqinjën në telefon. Edhe fqinja e saj, Erjona Bakollari ka folur për Report Tv, ndërsa tregon gjendjen e të moshuarës pas grabitjes që ishte e nxirë në fytyrë nga dhuna.

10 mijë eurot, 67-vjeçarja i kishte fshehur poshtë divanit dhe grabitësi ka arritur që t’i gjejë dhe të largohet. Hoxha prej dy vitesh jeton e vetme, pasi bashkëshorti i ka vdekur dhe nuk ka fëmijë. Për të kujdeset mbesa e cila jeton në Pogradec. Për këto 10 mijë euro që kishte në banesë, 67-vjeçarja thotë se janë para që i ka përfituar nga shitja e 2 tokave, një në 2001 një në 2012. Ajo shprehet se një tokë e ka shitur 13 milionë lekë një e ka shitur 4 milionë e 250 mijë lekë.

"Në 21:40 unë shkova në banjë mbarova aty dhe rashë në rrobe, sa rashë në këtë pozicion, pa më zënë gjumi erdhi një djalë i gjatë i veshur, i maskuar, me kapuce maskë, vetëm një pashë. Ai telefonin në dorë, unë telefonin më dorë, ma mori telefonin dhe ma hodhi. Lekët tha se të vrava dhe nxori një thikë. I thashë nuk kam lek. Lekët e pensionit dhe kartat e bankës, kam ca lekë në bankë. Lekët tha se të vrava dhe e vuri edhe njëherë kapuçin të mos i shihja hundën.

Më hipi sipër dhe më lidhi duart me litar, ja ku i kam shenjat akoma, po bëj 8 ditë. Më mori 10 mijë euro. Bam këtu, bam këtu, më lidhi duart më lidhi edhe këmbët, lekët se të vrava. Nuk kam lekë mor bir, prap unë u mundova të rezistoja pastaj më mori zvarrë si ata hajvanët e ngordhur dhe më shpuri nga dhoma tjetër, i themi dhomë pritje. Lekët, nuk kam. Lekët, nuk kam. Pastaj po shkumëzosha, mu pre takati, humba ndjenjat fare. Unë nuk fola më lekët i gjeti vetë. Kam shitur 2 toka një në 2001 një në 2012. Një e kam shitur 13 milion një e kam shitur 4 milion e 250 mijë. Unë jetoj vetë, burri ka 2 vite që më ka vdekur.

Si u zgjova u lirova dhe u zgjidha vetë se isha edhe me shami të lidhura buzët e kam gojën pleh. Pastaj siç isha vajta lajmërova komshien dhe u thashë më vranë më morën lekët, erdhën këta, lajmëruan policinë, erdhi policia më morën për këmbe për dorë më mbështollën me çarçaf me hodhën në barrelë dhe më sollën këtu. Policia më pyeti. Unë nuk dyshoj te asnjë, nuk ja ve gishtin asnjërit apo në fshat apo në vëllazëri se kemi shkuar shumë, nuk di çfarë të them por që u torturova shumë e kam gjoksin..

U prenë dritat u hap porta thashë me veten time çfarë u bë. Ishte djalë i ri 30-35, nuk e dallova dot, thërriste lekët dhe nxori një thikë dhe litarin që më lidhi. O lekët o të thera më thoshte mua. Jetoj vetëm me pension. Mbledh ndonjë lek dhe le mënjanë vetëm këto nuk i gjetën dot, nuk kishin rrëmuar (kërkuar) aq. Kishin hapur divanët, se unë aty i mbaj, kishte bërë rrëmujë. Kam shumë frikë të kthehem në shtëpi, shumë, po them mos marr ndonjë urdhër mbrojtje nga polici i zonës. Nuk kam besim se do gjendet këtë pyetje ma ka bërë dhe policia. Burri më ka vdekur, fëmijë nuk kam, mbesat kujdesen për mua hynë dalin, mblodha dy lekë, i hoqa mënjanë, i hoqa për të tjerët... Më dhembin brinjët, nuk më kanë thënë akoma kur do dal, jam shumë e rënduar më është mpiksur gjaku, kam bërë skaner, grafi, skopi", rrëfehet 67-vjeçarja. 

E moshuara ndodhet prej 8 ditësh e shtuar në spitalin e Korçës dhe thotë se do të kërkojë mbrojtje pasi ka frikë të kthehet në shtëpi. Për këtë ngjarje të rëndë policia nuk ka patur një njoftim të hollësishëm.

"Korçë/Më datë 29.12.2022, rreth orës 02:50, shtetasja L. H., 67 vjeçe, banuese në fshatin Pirg, Maliq, ka njoftuar se një shtetas ende i paidentifikuar, i ka marrë me forcë, në banesën e saj, një shumë parash. Nga ana e Policisë po kryhen veprimet procedurale, me qëllim zbardhjen e sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit", thuhet në njoftimin e policisë. 

Ende nuk ka asnjë detaj lidhur me autorin, por grupi hetimor po punon për identifikimin e tij.

Ora 21:22
Grabitja e 67-vjeçares në Maliq, flet fqinja për Report Tv: Jeton e vetme, ishte nxirë në fytyrë nga dhuna e grabitësit

 

Një prej fqinjëve, ka folur për grabitjen e 67-vjeçares në Maliq. Erjona Bakollari thotë për Report Tv se ka shkuar tek 67-vjeçarja menjëherë pasi ajo e lajmëroi për grabitjen. Ajo thotë se 67-vjeçarja Luljeta Hoxha ishte nxirë në fytyrë për shkak të dhunës që kishte ushtruar grabitësi.

“Kur na lajmëroi ne ishte e nxirë nga fytyra siç e kishte zënë ai. Ishte me një fjalë...me zor merrte frymë. Na trokiti në ashef (guzhinë),ne dolëm se thamë çfarë ka ndodhur dhe kur dalim jashtë ishte në gjendje shumë të rëndë na tha lajmëroni policinë dhe ambulancën se nga goditja që kishte marrë ishte në gjendje shumë të rëndë. Pastaj erdhi policia ,e shpumë(dërguam) në spital edhe.. Kur na ka lajmëruar ne ka qenë ora rreth 2 e 30 e natës.

Më erdhën tha, ishin hedhur nga avllia a diçka e tillë, ulën dritat, unë e dija se ikën dritat vetëm kur shkallmohet(shkatërrohet)dera jashtë e ballkonit dhe hynë brenda me dritë në dorë dhe mu hodh direkt, tha më zuri gojën. Nuk na tha ndonjë gjë vetëm tha na kanë marrë lekë diçka e tillë.

Ajo jeton vetë, kur sëmuret, kur.. se ka një mbesë që kujdeset për të, është në Pogradec, ne na lajmëron, për ndonjë gjë të vogël, për të marrë pensionin ose ilaçet, ne. Bashkëshorti i ka vdekur ka 2 vite. Ishte shumë e rënduar, tani ndodhet në spital, është një cik më ndryshe por prapë ka dhimbje. Ka shembje nga brenda”, tha komshia për Report Tv.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • flora: 06/01/2023 07:17

    policia ta kerkoje aty ne maliq,,,,,,aty e keni ate halen qe vodhi pensionisten...

    Përgjigju
  • Hajduti: 06/01/2023 04:15

    Ka qene njeri i brendshem se sot nuk vidhet kollaj o do marresh koken ose do te lesh koken.

    Përgjigju
  • Uhhh: 06/01/2023 00:04

    O zot sa gjynah! Mos befsh hajer kurr o djal gjynah e shkreta . Do ta kisha marr shpirtin o qen do te kisha rjep per se gjalli

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?