Simboli i Shqiponjës që dikur ishte vendosur në rreth rrotullimin në hyrje të Tiranës, në sheshin me të njëjtin emër, do të vendoset në Kukës. Lajmin e dha ish drejtuesi socialist për Kukësin, deputeti Pandeli Majko, i cili sqaron se do të vendoset në rrethrrotullimin e Gostilit, në hyrje të qytetit të Kukësit.
“Kjo u realizua falë mirëkuptimit të mikut tim Lazim Destani, i cili është dhuruesi i saj, miratimit të Edi Ramës dhe bashkëpunimit të bashkisë së Tiranës! Albert Halili, kryetari i Bashkisë së Kukësit po koordinon punën për vendosjen e “shqiponjës”, shkruan Majko në rrjetet sociale.
Shqiponja ishte vendosur në rrethrrotullimin në hyrje të Tiranës në vitin 2012, si simbol i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa u hoq 6 vite më pas, në nëntor të 2018, pasi zona do të përfshihej nga punimet për projektin e Unazës së Madhe.