U investuan 2,2 mln € për ujësjellësin, Këlcyra 8 ditë pa ujë! Bashkia hesht! Banorët “shuajnë” etjen në çezmën publike

22 Gusht 2023, 16:18| Përditesimi: 22 Gusht 2023, 16:31

  • Share

Prej 8 ditësh ujësjellësi i Këlcyrës është jashtë funksionit. Report TV u rikthye në këtë qytet pas ankesës së vazhdueshme të banorëve që nuk u shkon ujë në banesa.

Çezmat e Gurrës janë i vetmi burim për ujë të pijshëm, por nevojat janë shumë të mëdha.

“Kemi dy ditë që na vjen pak pasdite dhe ndërpritet prapë. E vështirë është shumë, tualet, shtëpia, rrobat. Është turp! Këtu mbushim për të pirë, por për nevoja të tjera ku të marrim?!

Nuk vjen uji në shtëpi? Tani nuk vjen ka një javë. Mbush këtu ujë të pijshëm, në shtëpi s’kemi se prishen tubat. Nuk flet njeri, nuk flasin se kanë ndonjë pjesëtar në punë. Si i bëhet pa ujë? U qelb dynjaja, mbajmë ujë në krah nga atje tutje.  Mbushim ujë këtu nuk na vjen në shtëpi. Vjen me ndërprerje, as gjysmë ore në ditë”.- tha një banor.

Banoret bëjnë fajtor bashkinë e Këlcyrës që administron ujësjellësin. Investimi prej 2.8 milionë euro i para tre viteve për ujësjellësin e ri, duket se ka dhënë probleme serioze.

“Unë kam qenë duke mbush ujë tek çezma e fshatit Gurr. Ishte bërë babiloni, mbanin radhë njerëzit. S’kemi ujë për tualet, pa le për të pirë. Është neglizhencë e kryetarit të bashkisë dhe drejtorit të ujësjellësit. Janë investuar 5 miliardë lek dhe s’kanë bërë asgjë. Kanë plasur tubat në 3-4 vende”. – tha një banor.

Për të larë banorët janë të detyruar te mbushin me kova në lumin Vjosë.

“Mora ujë në lumë për të shpëlarë rrobat se kishin marrë erë. Po lajmë me dorë si në kohën e Enverit. Keni kërkuar? Të kërkojmë në derë të shurdhit! Ku të vemi more s’na jep njeri përgjigje. Nuk flasim dot se na kyçin dyqanin. S’kemi ujë. Nuk e administron njeri atë. Bashkia nuk vë dorë fare, s’kemi çfarë bëjmë. Edhe tek ujësjellësi kemi shkuar dhe s’na jep njeri përgjigje.’- u shpreh një banor.

Tubacionet e ujësjellësit kanë pësuar defekt, në terren shihen punëtorët, por në bashkinë e Këlcyrës askush nuk flet për këtë problem jetik. 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?