Foto ilustruese

Kronikë

Jepte para me fajde, më pas kërcënonte borxhlinjtë për t’u marrë paratë! AMP arreston nënkomisarin në Elbasan, i sekuestrohen 5 automjete (EMRI)

6 Korrik, 11:12| Përditesimi: 6 Korrik, 11:59

  • Share

Një punonjës policie në Elbasan është arrestuar nga AMP, pasi u jepte para me fajde personave të ndryshëm dhe më pas i kërcënonte me shuma të mëdha parash. Bëhet fjalë për nënkomisarin Edison Pemaj, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në drejtorinë e policisë në Elbasan.

Pemaj, pasi u jepte para me fajde personave, i shtrëngonte ata nëpërmjet kanosjes apo dhunës për kthimin e shumave të konsiderueshme të parave. AMP bën me dije se në cilësinë e provës materiale nënkomisarit iu sekuestruan 5 automjete të vitprodhimeve të fundit në pronësi të personave të ndryshëm.  

AMP ka dokumentuar të plotë një rast që i ka dhënë 10 mijë euro me fajde një personi dhe më pas i ka kërkuar likuidim 2 mijë euro muaj për muaj me interes. Ndërkohë i kishte marrë edhe 5 automjete.

Ndaj efektivit rëndon akuza për veprën penale  “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.  Ndërkohë, po punohet për të zbuluar nëse ka pasur persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Njoftimi i plotë:

Në kuadër të operacionit “Last rent” zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë), nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Elbasan, u ndalua punonjësi i policisë N/Komisar E. P., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. 

Në vijim të hetimeve të thelluara me metoda speciale u bë i mundur ndalimi i këtij punonjësi, i cili i jepte hua (fajde) personave të ndryshëm dhe më pas nëpërmjet kanosjes ose dhunës i shtrëngonte këta të fundit për kthimin e vlerave të konsiderueshme të parave.
Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan 5 automjete të vitprodhimeve të fundit në pronësi të personave të ndryshëm.

Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].

Lajm ne perditesim...

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Populli: 06/07/2025 13:19

    Kesaj i thone Vune ujkun te ruaj dhente.

    Përgjigju
  • jon: 06/07/2025 11:38

    Kur i marin në shkollën e policisë a ju bëhet ndonjë kontroll nga trutë këtyre idjotëve,për ushtarakët urgjentisht duhet të ngrihen gjyqet ushtarake dhe dënimet duhet të jenë maksimale.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?