TIRANE-Prokuroria e Posaçme (SPAK) i ka kërkuar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dosjen e përzgjedhjes së anëtares Alma Faskaj. Anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u kallëzua penalisht në SPAK, me pretendimin se ka konsumuar veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Kallëzimi u bë nga gjyqtarja Hajrie Muçmata, e shkarkuar nga detyra, për probleme me pasurinë.
Hajrie Muçmata, në kallëzimin e saj, shprehet se anëtarja e KPK-së Alma Faskaj është shkarkuar nga detyra si e paaftë dhe për shkelje të ligjit, në vitin 1999, me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, fakt të cilin e ka fshehur në dokumentet e kandidimit për t’u bërë pjesë e Vetingut. Alma Faskaj, sipas padisë, është shkarkuar si gjyqtare në Lushnje.
Gjyqtarja e shkarkuar thekson në padi se ligji për Vetingun, parashikon se një nga kushtet për t’u zgjedhur anëtar i KPK apo i Kolegjit të Apelimit është që ndaj kandidatit të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna. Në këto kushte, Hajrie Muçmata i kërkon SPAK-ut pezullimin nga detyra të anëtares së Vetingut Alma Faskaj dhe nxjerrjen e saj para drejtësisë.
Ndërkaq, në SPAK, po për falsifikim dokumentesh janë kallëzuar edhe dy gjyqtarë të Kolegjit të Apelimit, Luan Daci dhe Ardian Hajdari. Daci është pezulluar dhe marrë i pandehur nga SPAK për fshehjen e shkarkimit për paaftësi.