Edi Martini, trajneri i Vllaznisë para ndeshjes kundër BFC Daugavpils

Sport

'U kam thënë djemve ta kalojmë këtë tur', Edi Martini para CL: Jazxhi dhe Mala janë të dëmtuar, s'dua të flas për Grudën

9 Korrik, 09:25| Përditesimi: 9 Korrik, 09:37

  • Share

SHKODËR - Vllaznia dhe letonezët e BFC Daugavpils luajnë nesër (e enjte) në orën 20:00 në "Elbasan Arena" për ndeshjen e parë të turit të parë kualifikues të Conference League.

Nga stadiumi "Loro Boriçi" në Shkodër, për mediet foli trajneri i kuqebluve, Edi Martini. Ai tha se është i kënaqur nga gjendja e ekipit, por Jazxhi ka një dëmtim dhe nuk do jetë i gatshëm për trajnerin, ndërsa Mala do e fillojë ndeshjen nga stoli.

Martini ceku edhe largimin e Ildi Grudës vetëm pak ditë më parë dhe kalimin e tij jo pa polemika te Egnatia, aty ku debutoi me gol në Champions League.

"Gjendja e skuadrës? Dje kemi pasur pak probleme për Jazxhi, edhe besoj që nuk do jetë për nesër. Mala ka pasur probleme, do jetë në stol, por jo nga fillimi. Vetëm nëse do na duhet një sforco e madhe për ta futur në fushë. Krymi është mirë, është stërvitur me ekipin. Nesër do sakrifikojë dhe do jetë në fushë. Si Krymi dhe Mala kanë marrë goditje, por Krymi do jetë nga minuta e parë. Disa gjëra nuk na kanë shkuar siç i prisnim, i kam thënë djemve që është një ndeshje që duhet ta fitojmë. Kundërshtari është në mes të kampionatit, ka gjendje të mirë fizike dhe në duelet fizike janë mirë për shkak të shtatlartësisë. Do bejmë çmos që të kalojmë në turin tjetër.

Merkato dhe grupi jo i plotë - Nuk do e doja më të plotë për momentin, për këtë ndeshje. Largimi i Grudës dhe dy dëmtimet na kanë prishur atmosferën, askush nuk është i pazëvendësueshëm, por kishim një muaj që e mendonim ndryshe. Do futemi për fitore.

Emocion dhe përgjegjësi - Kjo është një ndeshje që shërben për arkat e klubit, sa më larg të shkosh aq më shumë të ardhura ke. Në letër duket kundërshtar i lehtë, e kam ndjekur këtë periudhë. Kanë huazuar 2-3 lojtarë të tjerë për këto ndeshje. Do jetë përballje e fortë dhe çdo gjë t'ia lëmë kohës.

Merkato? Jam i kënaqur, por kampionati fillon më 23 gusht. Jam i bindur që do marrim lojtarë të tjerë. Do doja t'i kisha që në Kupat e Evropës, por është një periudhë që çdo lojtar mendon për më të mirën. Kemi emra konkretë që i kemi dërguar ofertat, por një moment më pas ka ndërrim mendje sepse marrin oferta nga jashtë.

Në opinion e kam dëgjuar që është një ekip modest, por BFC Daugavpils ka cilësi në dyluftime. Janë ekip fizik dhe ai që e ka ndjekur, e ka parë që janë të fortë.

Largimi i Grudës dhe debutimi i tij me gol te Egnatia - E pashë ndeshjen, nuk kamë shumë koment. E kam mendjen te ekipi im, për mua personalisht ajo është një çështje e harruar. Për ekipin po e po. Le t'ia lëmë kohës, ajo i jep verdiktet e veta.

Gruda uroi kualifikimin e Vllaznisë - Nuk e di, s'e kam dëgjuar. S'më intereson hiç.

Kevin Dodaj do jetë pjesë edhe për Kupat e Evropës, një 'armë' plus? Dodaj do jetë pjesë, edhe pse ekipi hungarez e donte që tani. Ne këmbëngulëm ta kishim, Dodaj tregoi maturi dhe ka qëndruar e është stërvitur mirë. Ka shumë oferta, por po mendojmë për këtë kualifikim.

Çdo rezultat që do ndodhë nesër, nuk do e mbyllë kualifikimin. Janë dy ndeshje, do jetë sfida e kthimit që do vendos kush kalon më tej.

Tifozët në 'Elbasan Arena' - Ne donim të luanim në Shkodër, do kishim më shumë tifozë. Do shkojmë të bëjmë lojën tonë, do na mungojë tifozeria dhe stadiumi. Kemi punuar mirë dhe kemi bërë ndeshje të mira, paçka rezultateve në miqësore. Kemi bërë shumë rotacion në këto sfida. Unë jam i kënaqur nga gjendja, eksperienca dhe mendoj se do kalojmë këtë duel", tha Edi Martini.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Raporti i KE, si e vlerësoni punën e drejtësisë në Shqipëri?