TIRANË- Një i ri është arrestuar pasi ka tentuar që të korruptojë policin rrugor me 5 mijë lekë, pasi i kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Në pranga ka rënë R. P., 35 vjeç.
Ai kishte konsumuar alkool në masën 0.44 mg/l. Ndërkohë, përgjatë 48 orëve të fundit, janë arrestuar edhe 5 shoferë të tjerë mjetesh, 3 prej tyre për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
"Rrugorët e kryeqytetit, në funksion të kontrolleve policore parandaluese, ditën e djeshme, kanë konstatuar dhe verifikuar se shtetasi me iniciale R. P., 35 vjeç, po drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit, në masën 0.44 mg/l.
Gjatë kryerjes së veprimeve policore, ky shtetas i ka ofruar agjentit verifikues një kartëmonedhë me prerje 5000 lekë të rinj, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer. Në këto kushte drejtuesi i automjetit është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që kryejnë funksione publike”.
Gjithashtu, përgjatë 48 orëve të fundit, në funksion të kontrolleve parandaluese, janë arrestuar edhe 5 drejtues të tjerë mjetesh, 3 prej tyre për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim mjeti pa leje drejtimi", njofton policia.