Bolzano- Pak ditë pas arrestimit (31 Gusht) të një emigranti shqiptar rezident në Breshia, me 1,6 kg kokainë me vlerë tregu mbi 50 mijë euro, Guardia di Finanza përveç detajeve të aksionit publikoi edhe pamjet.
I dyshuari jo vetëm kishte spërkatur makinën e tij “Golf” brenda me parfum për të çorientuar qentë antidrogë të policisë, por kishte ndërtuar edhe një dhomë të fshehtë në pjesën e bagazhit të mjetit. Nervozizmi i shqiptarit ndihmoi më shumë oficerët që të këmbëngulnin në kontroll në operacionin që u kodua "Twenty" (lajm i publikuar dje nga Shqiptarja.com).
Oficerët e patën të vështirë ta zbulonin, por pas insistimit të qenit zbuluan një çelës të vogël që futej diku në një vrimë poshtë tapicerisë dhe të çonte te dhoma e fshehtë ku ndodheshin dy blloqet e kokainës, të mbështjella me natriban të kuq dhe të bardhë.
Kaq mjaftoi që shqiptari të prangosej dhe të nxirrej para gjykatës, teksa ndodhet i izoluar në paraburgim. I dyshuari ishte banues prej shumë vitesh në provincën e Breshias, teksa dje (3 Shtator), policia ndau edhe detajet e aksionit.
Guardia di Finanza po heton edhe për rrjetin e bashkëpunëtorëve.