Dhimitër Shehu, 39-vjeçari nga Tepelena, u arrestua nga njësia Antidrogë e Tiranës ndërsa përpiqej të sillte nga Tajlanda, përmes një tranziti në Dubai, një valixhe që përmbante kanabis sativa me nivel të lartë të THC-së.
Gjatë marrjes në pyetje, ai ka rrëfyer të gjithë itinerarin e udhëtimit për marrjen e valixhes, por nuk ka zbuluar identitetin e personave që e kishin porositur dhe financuar këtë veprim. Sipas deklaratës së tij, ishte pajtuar për një shpërblim prej 2 milionë lekësh të vjetra për transportimin e çantës drejt Tiranës.
Plani parashikonte që ai të shkonte në Tajlandë, ku një person i huaj do t’i dorëzonte valixhen. Takimi me këtë person ndodhi në hotelin e prenotuar, pas së cilës Shehu shkoi drejt aeroportit dhe udhëtoi për në Dubai pa hasur në ndonjë kontroll apo pengesë nga autoritetet vendase. Ai mbërriti në Rinas pa e ditur se çanta nuk ishte nisur nga Dubai.
Në aeroport, policia e informoi se bagazhi ishte ndaluar nga autoritetet e Emirateve. Fillimisht ai u akuzua për tentativë trafiku të lëndëve narkotike, por pas mbërritjes së valixhes me drogë në Shqipëri, akuza ndaj tij u përditësua në trafik të mirëfilltë narkotikësh.
Komente
