Agim Kajmaku

Në Itali gjykohet për trafik droge, në Tiranë për falsifikim dokumentesh! Prokuroria: Kemi ankimuar vendimin e gjykatës për Agim Kajmakun

14 Qershor 2022, 10:40| Përditesimi: 14 Qershor 2022, 13:22

  • Share

Prokuroria ka apeluar vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë për pushimin e çështjes ndaj ish-kryebashkiakut Agim Kajmaku, për falsifikim dokumentash. Burime për Report Tv nga prokuroria bëjnë me dije se ankimimi është bërë që në shkurt, për vendimin e gjykatës në ngarkim të Agim Kajmakut, i cili akuzohej për veprën penale të “Falsifikim i vulave, stampave ose i formularëve”.

‘Informojmë gjithashtu se, ndaj këtij vendimi është ushtruar ankim nga organi i akuzës me objekt: “Ndryshimin e Vendimit Penal Nr. 3549, datë 30.12.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tirane, lidhur me procedimin penal nr. 8185 viti 2019, në ngarkim të të pandehurit A.K., përsa i përket fajësisë së të pandehurit për veprën penale të “Falsifikim i vulave, stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i K. Penal” dhe dosja gjyqësore në datë 08.02.2022 është përcjellë për gjykim pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.’- njofton prokuroria.

Ish kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku  u arrestua nga policia italiane për trafik droge më 27 maj të 2022. Kur u kap me 20 kg kokainë në zonën e San Benedetto del Tronto, Kajmaku ishte së bashku me nipin e tij. Dajë e nip, njëri banues në Itali dhe tjetri në Shqipëri akuzohen për trafikimin e lëndëve narkotike.

Agim Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?