Nën masa të rrepta sigurie është transportuar nga Fieri në Gjykatën e Sarandës, Albi Mecini i cili është njohur me masën e sigurisë “Arrest në burg” të vendosur në mungesë ndaj tij për veprën penale “rrëmbimi ose mbajta peng e personit” për ngjarjen e prillit ku në rrethana misterioze rezultojnë të zhdukur Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari.
Siç shihet nga pamjet e Report Tv ai është shoqëruar nga një furgon i Drejtorisë se Përgjithshme te Burgjeve ndërsa në mbështetje për ruajtjen e perimetrit të sigurisë janë forcat e FNSH të pajisura me antiplumb. Seanca kryesohet nga gjyqtari Alban Vecani ndërsa Prokurore është Esmeranda Basho.
Mecini u arrestua më 30 gusht 2023 me 2 çanta me rreth 21 kg eksploziv, të montuara me celularë, për shpërthim në distancë. Te dyja çantat u gjetën në afërsi të automjetit të Mecinit.
Përmes inteligjencës informative, blutë kishin të dhëna se do të kryhej një atentat me tritol ndaj një personi me rekorde kriminale që ushtron aktivitetin e tij në Fier, identitetin e të cilit policia nuk e tregon për shkak të hetimeve.
Por para hetuesve Mecini, i cili njihet dhe si miku i të dënuarit me burg përjetë Admir Tafili, nuk ka dhënë asnjë detaj se kush do të ishte personi që do të ekzekutonin dhe as detaje për porositësin e këtij ekzekutimi. Heshti edhe në seancë gjyqësore.
Gjatë kontrolleve policia gjeti dhe një tjetër automjet, brenda të cilit ishin 3 bidonë me benzinë dhe dy karta ID, të Arafat Manërkollit, 27 vjeç, nga Dibra, dhe Ervis Cukalin, 25 vjeç, nga Tirana. Këta u shpallën në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen të cilën ishin nisur ta kryenin por mbeti në tentativë.