Gjykata e Tiranës dënoi sot me 7 vite e 9 muaj burg, ish-efektin e forcave RENEA, Remal Rada i cili u kap me një arsenal armësh në makinë në zonën e Saukut, i shoqëruar nga Elton Hithi një 28-vjeçar nga Laknasi me precedent të mëparshëm penalë. Ky i fundit u dënua nga Gjykata e Tiranës me 5 vite burg.
Ish efektivi i RENEA-s, Rada u arrestua më 26 korrik 2022, së bashku me shokun e tij, Hithi teksa lëvizin me makinë në afërsi të rrethrrotullimit të Sanatoriumit në rrugën e Elbasanit në Tiranë.
Ish-efektivi i RENEA duket se ishte përgatitur për një vrasje, pasi në makinë kishte snajper të modifikuar për qitje në distancë deri në 2 mijë metra, pistoleta, karikatorë e dylbi, por akuza nuk faktoi ndonjë shënjestër të mundshme.
Remal Rada, i kthyer së fundi nga Anglia, dhe i larguar nga RENEA në vitin 2022, në automjet, kishte dhe dokument policie dhe një pult për mbulimin dhe ndërrimin e targave të automjetit.
Ish-efektivi dhe miku i tij u dënuan për armëmbajtje pa leje dhe mbajtjen pa të drejtë të uniformës. Armët, një pjesë e të cilave u gjetën edhe në banesën e ish-efektivit, në atë kohë u dërguan në laboratorin e Policisë Shkencore, por nuk u faktua nëse ishin përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.