U kap për blerje votash për kandidatin e dyshes Berisha-Meta në Kavajë, GJKKO lë në burg Klodian Kapedanin! Dëshmia: Bisedat për votat i bëra me gruan

12 Qershor 2023, 09:57| Përditesimi: 12 Qershor 2023, 11:57

  • Share

Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në burg Klodian Kapedanin i arrestuar me 9 qershor 2023 me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme për veprën penale "korrupsion aktiv në zgjedhje".

Ai akuzohet se ka blerë vota për llogari të kandidatit të koalicionit "Berisha-Meta",  Fisnik Qosja, i cili fitoi në zgjedhjet e 14 majit me një diferencë prej 855 votash kundrejt socialistit Redjan Krajli.

Në seancën e sotme të vlerësimit të masës së sigurisë në GJKKO, Klodian Kapedani deklaroi se bisedat  ishin zhvilluar kryesisht me beshkëshorten e tij, informon gazetarja e Report TV, Keti Banushi.

Kapedani kërkoi masë më të butë sigurie se "arresti në burg" me argumentin se ka një vajzë të vogël 2-vjeçare të sëmurë, për të cilën tha se duhet të përkujdeset, por kërkesa e tij nuk u pranua.

Si u zbulua Kapedani

Arrestimi i Kapedanit u bë teksa ishte duke ecur në rrugë në qytetin e Kavajës.

Përgjimet telefonike të SPAK  zbuluan implikimin e Klodian Kapedanit. Burime të Report Tv bënë me dije se për 39-vjeçarin nga Kavaja nuk ka pasur asnjë kallëzim nga qytetarë apo subjekte të ndryshme politike, por korrupsioni zgjedhor është zbuluar rastësisht gjatë përgjimeve telefonike të disa personave të tjerë, të cilët janë në hetim nga SPAK për vepra të tjera penale. Këta të fundit nuk kishin lidhje me zgjedhjet, por për ngjarje të tjera kriminale dhe sipas hetimeve dyshohet se janë përdorur nga Kapedani për t’i dhënë votën kandidatit të Berishës dhe Metës në Kavajë kundrejt parave.

39-vjeçari u zbulua nga përgjime në linja telefonike standarde, por edhe përmes aplikacioneve të komunikimeve online si Whatsapp, disa ditë para zgjedhjeve dhe gjatë datës 14 maj kur shqiptarët iu drejtuan qendrave të votimit për të zgjedhur drejtuesit vendorë.

Sipas hetuesve, në këto biseda Klodian Kapedani nuk përmend shuma konkrete parash në këmbim të votës, por linte takim fizik me ta që t'u jepte paratë që të votonin pro kandidatit që ai mbështeste Fisnik Qosja, i cili u shpall fitues në Kavajë. 

14 Maji
Fillimisht Kavaja po udhëhiqej nga socialisti Redian Krali, por me numërimin e votave në kutitë e mbetura, Fisnik Qosja i Bashkë Fitojmë arriti të merrte epërsinë dhe të shpallej fitues. Fisnik Qosja fitoi 11769, ndërsa Redjan Krajli mori 10914.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • e drejta: 12/06/2023 10:10

    KALBENI NE BURG ...KESHTU BEHET MESIM PER HAJDUTET E TJERE. FRIKA RUAN VRESHTIN

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?