Një serb është arrestuar ditën e sotme në veri të Kosovës, teksa tentoi të fuste në fshatin Jashanicë të Leposaviçit 6.300 fishekë.
Organet e rendit në Kosovë njoftojnë se i dyshuari 42-vjeçar me inicialet J. Zh, është shoqëruar në polici dhe ku më pas është intervistuar.
Ndaj tij është ngritur rasti penal dhe me aktvendim nga prokurori, është dërguar në paraburgim deri në 48 orë.
Policia vazhdon me aktivitete të shtuara për të ofruar siguri dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale përfshirë parandalimin e kontrabandës në pjesën veriore të vendit.
“Sot, më 21.02.2023, rreth orës 13:30, në fsh. Jashanicë të Leposaviqit, në një pikë kontrolli, Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare-Veriu, kanë ndaluar një automjet me targa të Serbisë të cilën e drejtonte një mashkull serb. Policia gjatë kontrollit të automjetit, ka gjetur rreth 6300 (gjashtë mijë e treqind) copë fishekë. I dyshuari (J.Zh, viti i lindjes 1981) është shoqëruar në polici. I njëjti është intervistuar, ndaj tij është iniciuar rasti penal dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë. Policia vazhdon me aktivitete të shtuara për të ofruar siguri dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale përfshirë parandalimin e kontrabandës në pjesën veriore të vendit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi Policia e Kosovës kanë sekuestruar mbi 6000 fishekë të kontrabanduar nga Serbia në veri. Sveçla ka treguar se si policia, ka arritur të arrestojë shtetasin serb me 6300 copë fishekë.
“Përderisa Vuçiç flet për armatosje të Serbisë, në veri të Kosovës konfiskohen 6.300 copë municion të kontrabanduar nga Serbia.6.300 sasi të municionit janë konfiskuar sot nga Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit në Joshanicë, në veri të Kosovës. Gjatë patrullimit është ndaluar vetura e dyshimtë me targa të Serbisë e një shtetasi serb dhe njësitet relevante tashmë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme”, ka shkruar Sveçla. Ai ka thënë se grupe të orkestruara nga Beogradi kanë synim destabilizimin e Kosovës.
“Kjo rithekson sërish faktin se grupe të caktuara, të orkestruara dhe mbështetura nga Beogradi synojnë dhe angazhohen maksimalisht që të destabilizojnë vendin tonë”.
“Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin tonë në luftimin e çdo lloj kriminaliteti që synon të cënojë sigurinë e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë”, ka shkruar Sveçla.