TIRANË - Gjykata e Tiranës caktoi masën “arrest në burg” për dy të rinjtë Klajdi Sejrani dhe Euxhenjo Manushi, të cilët u kapën pak ditë me parë me 1 kilogramë kokainë në Tiranë.
Në seancë, të dy ata kanë pretenduar se lëndën narkotike e kishin për përdorim vetjak dhe jo për ta trafikuar. Ndonëse avokatët kërkuan masë të butë sigurie, kërkesa nuk u pranua nga Gjykata, e cila i la të dy në qeli.
Sejrani dhe Manushi u kapën në flagrancë me sasinë e kokainës teksa lëviznin me një mjet luksoz në kryeqytet. Dyshohet se të dy ata, e shisnin kokainën te grupet e të rinjve, por edhe te personazhe të njohur, por kjo mbetet për tu verifikuar nga ana e prokurorisë së Tiranës.
Organi i akuzës disponon edhe dy celularët e të rinjve, që do shërbejnë për zbardhjen e plotë te kësaj çështje.
Klajdi Serjani dhe Euxhenjo Manushi po verifikohen nga hetuesit për të zbuluar skemën kriminale, por edhe emrat e tjerë të përfshirë.
Ka dyshime se në këtë grup që funksiononin si shpërndarës dhe furnizues të kokainës së pastër janë të përfshirë disa persona të tjerë.
Ky grup shpërdante kokainë edhe në lokalet e natës në pika të ndryshme të Tiranës.
Klajdi Serjani, është nipi i Pajtim Serjanit, i cili është arrestuar dhe dënuar për gjobëvënie me tre vite, ndërsa aktualisht është i lirë, pasi e ka përfunduar dënimin. Serjani u dënua për gjobëvënie ndaj një biznesmeni në vitin 2014.