DURRËS- Hekuran Troplini, 19-vjeç dhe Emiliano Pasha, 20 vjeç, të cilët u arrestuan pasi u kapën me armë, që ua shisnin grupeve kriminale, janë lënë në burg nga gjykata e Durrësit.
Baza e armatimit shërbente për të furnizuar grupet kriminale. Report TV ndërkohë siguroi fotot e dy të rinjve, Hekuran Troplini dhe Emiliano Pasha, 19 dhe 20 vjeç duke mbajtur kallashnikovë të cilët i reklamonin në rrjetet sociale. Sikurse shihet të rinjtë mbanin armët në duar me doreza, për të mos lënë shenjat e gishtërinjve.
Të njëjtin kujdes tregonin edhe gjatë momentit kur çonin armën e porositur tek personi i interesuar. Armës i hiqnin shulin dhe fshihnin në pjesë të vjetra makinash më mënyrë që edhe nëse do të kapeshin nga policia ekspertiza të mos e nxirrte armën e rregullt e në këtë mënyrë të mos arrestoheshin për armëmbajtje. Pjesa e hequr e armës i dërgohej në një moment tjetër personit që kishte blerë armën.
Dy të rinjtë u arrestuan gjatë një afere për shitjen e 4 kallashnikovëve përmes një shitje të stimuluar. Sipas policisë ata shfrytëzonin zonat periferike për të shitur armatime dhe municione ndërsa policia po punon për të parë nëse ata kishin bashkëpunëtorë të tjerë. Brenda në bazën u sekuestruan 4 kallashnikovë me 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 1 motomjet, 63 700 lekë dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.